Primaret në PD/7 kandidatët për Tiranën prezantojnë programin, 'lumë' akuzash Veliajt: Pedofil politik

Shtatë kandidatët e përshirë në primaret e Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës prezantuan programin përpara demokratëve në njësinë një dhe dy në kryeqytet.

Duke i qëndruar besnik profesionit nga vijnë, 7 folësit lëshuan një lumë akuzash ndaj kryebashkiakut aktual.

Deda: Ai është një pedofil politik, ai shfrytëzon fëmijët për të fituar vota.

Këlliçi: Qesharak, i turpshëm, tallës. Beteja është ajo e 14 majit kundër zdromsit të Tiranës.

Bogdani: Nuk është vota për 4 dhjetorin është vota për 14 majin.

Merkoçi: Më jepni votën, unë e hedh Erion Veliaj. Kaq mund t'u them.

Kandidatët demokratë e vunë theksin në premtimet për respektimin e ligjit, betejën kundër incineratorëve dhe halleve të përditshme të kryeqytetasve, duke mos lënë pas dore dhe shembjen e sistemit abuziv të ngritur nga Erion Veliaj.

Këlliçi: Tirana sot është e pisët dhe pse ju duhet ta dini që paguhen 80 mijë euro në ditë në një incinerator fantazmë që nuk ekziston.

Bogdani: Nuk ka vullnet për të bërë punë, por ka vullnet për të vjedhur. Shtatë kate pa leje, po të hapë Erion Veliaj dritaren e bashkisë e sheh pallatin por ja ka zënë sytë paraja, arroganca dhe pushteti. Jetojmë si në Kandahar por paguajmë parkim si në Bruksel.

Deda: Në vend të shohësh një lulishte sheh një pellg me ujë, shkon për të blerë bukën dhe kthehesh me baltë në shtëpi. Thotë gruaja ku i çon ato këpucë mor burrë!?

Demokratët janë koshientë se me problemet e brendshme të PD-së fillimisht u duhet të lobojnë për bashkim.

Alimehmeti: Si e fitojmë ne 14 majin 2023? Nga kjo nis çdo diskutim. Këtë mund ta fitojmë vetëm me një element kyç: Bashkim dhe pastërti. Pa bashkim, pa vota të bashkuara, ne nuk arrijmë dot në 14 maj. Të jemi të qartë, duhet të shohim të vërtetën në sy.

Kalaja: Po goditjet nën brez të njëri-tjetrit.

Fejzo: Sot ka ardhur koha që të punojmë dhe të lëmë mëritë.

Deri më tani Kryesia e PD ka pranuar 145 kandidatë për 44 bashki në vend teksa pritet të zyrtarizojë kandidaturat edhe në 17 bashkitë e mbetura.