Pasojat e tërmetit, prej 3 vitesh banorët e një pallati në Laç pa shtëpi
Kanë kaluar 3 vite nga tërmeti i 26 nëntorit, por dhjetëra qytetarë ende vuajnë pasojat. Lëkundjet shembën shtëpi e pallate, ndërsa për të disatën herë banorët e një godine në Laç kanë protestuar për shtëpitë e tyre, pasi ende nuk kanë një përgjigje se çfarë do të ndodh me ndërtimin e tyre.
Qytetarët që janë prekur nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019 ende nuk po gjejnë qetësi. Tre vjet pas lëkundjeve që tronditën vendin banorët e një pallati në lagjen nr.2 të Laçit, enden zyrave të institucioneve pa asnjë përgjigje për fatin e objektit.
Pallati i tyre u dëmtua nga tërmeti dhe u shemb për t’i hapur rrugë rindërtimit, por deri më sot asgjë nuk ka ndryshuar.
"Unë dua shtëpi. Ne jemi të pastrehë prej 3 vitesh. Duam të dijmë çfarë do bëhet me ne. Mbajmë divana këtu, i çojmë atje. Pastaj ikim prapë. Kjo na ndodh çdo tre muaj" thonë banorët
Ata thonë se kanë kërkuar disa here informacion në lidhje me ndërtimin e pallatit ku kanë jetuar, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje, ndërsa prej tre vitesh janë vendosur në banesa me qira.
"Kryetarja e Bashkisë as na pret e as na përcjell. Duam të dimë çfarë do bëhet me familjet e pallatit 96/1"
Pasi qëndruan për rreth 1 orë para ambjenteve të bashkisë duke protestuar, banoret u priten nga Kryebashkiakja e Kurbinit Majlinda Cara e cila ju tha atyre se ndërtimi i pallatit është në fazë tenderimi dhe brenda këtij viti do të nisin punimet.
Në pallatin në fjalë kanë jetuar 20 familje të cilat presin të strehohen sa më parë në apartamentet e tyre.
