Trafikonte emigrantë në SHBA, Kanada dhe Britani, Republika Domenikane ekstradon shqiptarin

Autoritetet në Republikën Domenikane urdhëruan të premten, 18 nëntor, ekstradimin drejt Shqipërisë  e shtetasit shqiptar Sajmir Hysenbelliu i cili akuzohet për trafik të qënieve njerëzore.

Ai ishte arrestuar në Republikën Domenikane pasi dyshohet se është pjesë e një grupi që trafikonte njerëz drejt SHBA-ve, Anglisë apo Kanadasë.

Hysenbelliu ishte në kërkim në Shqipëri pas goditjes së një grupi trafikantësh që dërgonin njerëz ilegalisht kundrejt përfitimeve.

"Shqiptari Sajmir Hysenbelliu akuzohet se ka ndihmuar në kalimin e paligjshëm të kufirit, më shumë se një herë, parashikuar në nenin 298/3 të Kodit Penal, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, parashikuar për në nenet 333/a-2 dhe 334 të Kodit Penal" raportojnë mediat vendase.

Nga 30 mijë dollarë për një dërgim në SHBA dhe në 10 mijë paund për në Britani e 5-10 mijë euro për vendet e BE-s ishin pagesat që të interesuarit i detyroheshin grupit kriminal.

Në këtë grup ishin të përfshirë shqiptarë, maqedonas, bullgarë, grekë e italianë ndërsa cdo gjë niste me të konsideruarit “sekserët” që interesoheshin nëpër Shqipëri për të gjetur persona që donin të largoheshin nga vendi.