Një polic i komisariatit numër 4 në kërkim për dhunimin e gazetarit Doçi
Një punonjës policie, i identifikuar si Ermir Doda, është shpallur në kërkim nga komisariati nr.5 në Tiranë, si bashkëpunëtor në rastin e goditjes së gazetarit Adriatik Doçi.
Nga hetimet ka rezultuar se Doda është njeriu që e ka çuar Redon Skuterën me motor deri në Kamëz dhe është po ai që e ka marrë sërish me motor, duke e çuar afër shtëpisë së tij tek ish-Parku i Autobusave.
Ermir Doda është punonjës i komisariatit nr.4 në Tiranë dhe aktualisht vijonte një kurs në Akademinë e Policisë në Tiranë.
Ndaj punonjësit të policisë është ngritur akuza e përkrahjes së autorit të krimit dhe se këtë javë pritet që drejtori i policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku të vendosë përjashtimin e tij nga radhët e policisë.
Po kështu gjatë kontrollit të banesës së policit Doda, policia konstatoi se ai ishte duke ndërtuar një kat pa leje në objekt, e për këtë shkak policia ka referuar në prokurori materiale për ndërtim pa leje.
Redon Skutera u arrestua një ditë më parë nga forcat e komisariatit nr.5 në Tiranë në ambjentet e një palestre në zonen e ish-Parkut të Autobusëve.
Në vitin 2018, Redon Skutera është përfshirë në një ngjarje kriminale ku me të njëjtën formë ka goditur me grusht një person tjetër, të cilit i ka thyer nofullën.
Skutera është proceduar në 2018 për akuzën e plagosjes me dashje.
