Pastrimi i parave përmes shitblerjes së pronave, problem shqetësues për noterët. Rriten denoncimet kërkohen masa shtesë
Pastrimi i parave nëpërmjet shitblerjes së pronave është kthyer një problem shqetësues. Gjatë një takimi me noterë nga i gjithë vendi, kreu i Drejtorisë kundër Pastrimit të Parave ka kërkuar më shumë bashkëpunim. Ndërkohë noterët kanë kërkuar thjeshtëzimin e procedurave dhe masa shtesë në këtë drejtim.
Noterët kanë rritur numrin e denoncimeve për subjektet që tentojne të pastrojnë para nëpermjet shitblerjes së pronave.
Drejtori i Drejtorisë kundër Pastrimit të Parave, Ervin Koçi, gjatë nje takimi me noteret nga i gjithë vendi, i ka nxitur që të vijojnë të denoncojnë rastet të pastrimit të parave apo financime të dyshimta.
"Për këtë vit numri i rasteve të raportuara nga ana juaj janë 32% më shumë se gjithë vitit 2021. Kjo dëshmon një rritje të ndërgjegjësimit nga ana juaj, nga ana tjetër është rritur dhe cilësia e shitjes së pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme".
Nga ana tjetër kryetarja e Dhomës së Noterisë, Mimoza Sadushi, kërkoi thjeshtëzimin e procedurave për sinjalizimin e rasteve në mënyrë që këto denoncime të mos bëhen pengesë për punën e noterëve.
"Presim mbështetje nga kjo drejtori dhe institucionet e tjera për shmangien e proceseve që nuk kanë dobishmëri dhe marrin kohë të madhe në aktivitetin e noterit. Këtu përmendim kërkesën e drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për të mbajtur regjistër në Excel për të dhënat e klientëve në kohën kur ne kemi një sistem elektronik.
Së dyti, kërkesën për ti raportuar RTPF-të brenda 24 orëve në një kohë kur drejtoria ka akses në NISA, duke marrë parasysh dhe mospërputhjen me urdhërimet përkatëse që rregullojnë mënyrat dhe procedurat e pagesës për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme dhe këtu ndoshta ka vend që mos të ketë nevojë për raportime cash kur drejtoria ka akses në sistem."
Thjeshtëzimi i procedurave është premtuar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Profesioneve të Lira në Ministrinë e Drejtësisë, Andi Përmeti.
"Për t'ua thjeshtësuar punën ju është heqja përfundimtare e RNSH duke ju lënë vetëm sistemin NISA."
Prej muajsh noterët nga i gjithë vendi i janë nënshtruar trajnimeve te shumta për të mundësuar denoncimin e rasteve te pastrimit të parave në kuadër të masave të reja të vendosura në zbatim me qëllim parandalimin e këtyre rasteve.
