Beton kudo, ndërtimet nuk kanë të ndalur, po tani kush e ka radhën?
Në këto ditë kur Tirana bëhet gati për të hyrë në perdiudhë zgjedhore, ndërtimet pa kriter në kryeqytet nuk kanë të ndalur. Nxitimi i Bashkisë së Tiranës për dhënien e lejeve për transformimin në beton të çdo hapësire publike është aq i shpejtë sa dhe vetë kompanitë e ndërtimeve nuk kanë kohë të vendosin tabelat informuese për projektet e tyre.
Shumë objekte të vjetra e historike të kryeqytetit po humbasin.
Kjo si pasojë e ndërtimeve në të gjitha hapësirat që deri më sot i kanë rezistuar tendencës së betonizimit.
Këto plane që po shihni janë në zonën e ish-Kinostudios.
Deri para dy javësh në këtë zonë kishte biznese të ndryshme, por në ditën për diell ato sot nuk ekzistojnë më.
E xhiruar nga lart në zonë shikon një eskavator i cili nuk dihet se për çfarë po shërben brenda perimetrit të rrethuar.
Ambientalisti, Sazan Guri, shprehet se nxitimi i Bashkisë së Tiranës për dhënien e lejeve për transformimin në beton të çdo hapësire publike është aq i shpejtë sa dhe vetë kompanitë e ndërtimeve nuk kanë kohë të vendosin tabelat informuese për projektet e tyre.
"Duke qenë se kanë prishur diçka atje, nuk ka asnjë tabelë, asnjë sinjalistikë, asnjë informim publik se çfarë do të ketë kjo pjesë e kësaj hapësirë e ish-Kinostudios më lind dyshimi se këta nuk kanë të ndalur së ndërtuari vepra ndërtimore".
Guri thotë se dyshimet se dhe në këtë zonë do të ngrihet një gradaçelë është i madh.
"Këta nuk ndalen, janë të pandalshëm për të pastruar lekun e pisët që kanë krijuar në këto vitet e fundit. Unë dyshoj me të drejtë se nuk ka sot një vepër që ti shërbejë të mirave publike. Tirana qytet betonizimi."
Por nëse do të jetë sërish një gradaçelë, lind pyetja se çfarë fshihet pas manisë së madhe për kaq shumë ndërtime?
Shkatërrim i trashëgimisë, apo vizion për një Tiranë moderne?
Kush janë banorët e këtyre kullave dhe a ka një transparencë të burimit të financave që lidhen me kaq shumë ndërtime?
Teksa kërkonte një mandat si kryetar Bashkie, Erion Veliaj erdhi me zotimin se do evitonte betonizimin që në vitin 2015 shihej si kërcënim për Tiranën.
Por premtimi i tij pësoi një transformim, ashtu si vetë kryeqyteti i cili po betonizohet në çdo cep ku është i lirë.
