Kioskat e reklamave pa sahat, Sulçe: Reklamat shpërqendrojnë shoferët, burim aksidentesh

Kioskat e reklamave në Tiranë ,vazhdojnë të konsumojnë energji elektrike nga rrjeti publik, pa sahate matës. Krahas faturës së dritave, prania e tyre në stacionet e urbanëve dhe rrugët e kryeqytetit për ekspertin rrugor Artur Sulçe përbën edhe një rrezik të shtuar për aksidente rrugore. Veçanërisht gjatë natës, prania e ekraneve të tilla në fushën pamore të drejtuesve të mjeteve bëhet shkak për shpërqendrim dhe konfuzion në qarkullimin rrugor.

Kioskat e reklamave në Tiranë vazhdojnë të konsumojnë energjinë, pa sahate matës.

Shpenzimi i vazhdueshëm nga rrjeti energjetik i vendit, bëhet veçanërisht gjatë natës ndërkohë që linjat e furnizimit janë pa sahate matës dhe të lidhura direkt në sistemin e transmetimit.

Këto ekrane janë një mjet shpërqendrimi dhe burim aksidentesh dhe sipas kodit rrugor janë të ndaluara.

Eksperti rrugor Artur Sulçe në një intervistë për Ora Neës thotë se tabela të tilla në shumë raste shpërqendrojnë drejtuesit e mjeteve, duke u bërë shkak për aksidente.

Artur Sulçe: Shohim që në qytetrin e Tiranës, në shumë kryqëzime kemi  shumë tabela të ndritshme. Një pjesë e tabelave të ndritshme, unë i shoh, që ato tërheqin vëmendjen e përdoruesve të rrugës, drejtuesve të automjeteve dhe në momente të caktuara mund të jenë problematikë në sjelljen e aksidenteve.

Reklamat e ndryshme që vendosen në kryeqytet sidomos nëpër stacionet e autobusave, i përkasin bizneseve të ndryshme që kanë zgjedhur këtë mënyrë për të fituar të ardhura, por deri më tani është e dyshimtë, procedura e ndjekur me afishimin e tyre në hapësirën publike të qytetit.

Mbetet e paqartë nëse është bërë prokurim publik për kompaninë që menaxhon këto reklama në rrugët e kryeqytetit dhe i cili  është bilanci i përfitimeve që ka qyteti nga ky aktivitet.