"Tirana problem për parkimin", gati ndryshimi i Kodit Rrugor: Në qytetet e mëdha s’ka parkime publike
Në qytetet e mëdha të Shqipërisë hapësira për parkime publike të automjeteve është një problem që nuk gjen zgjidhje. Ky fakt u pranua si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita në komisionin e veprimtarisë prodhuese, ku u shqyrtua projetligji i PS-së për ndryshimin e Kodit Rrugor. Ndërkaq debate u zhvilluan për situatën në Tiranë, ku demokratët akuzuan se këshilli bashkiak po abuzon me vendet e parkimit publike.
Vendet për parkim janë një nga problemet që qytetarët po hasin më së shumti gjatë këtyre ditëve jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qytetet e mëdha të vendit.
Kjo u pranua edhe nga vetë socialistët në komisionin e veprimtarisë prodhuese. Deputeti Arben Pëllumbi deklaroi se duhet të miratohet një vendim pa ndërhyrë në kopetencat e bashkisë.
"Shqetësimi i të gjithëve ne është pikërisht që të krijojmë sa më shumë lehëtsira qytetarëve. Qytetarë nuk janë vetëm ata që bashkëjetojnë në një pallat. Qytetarë janë dhe ata që do të zhvillojnën një aktivitet në po atë pallat," tha ai.
Ndërkaq deputeti i PD-së Lefter Gështenja theksoi se edhe vetë bashkia po abuzon me vendet e parkimit, kryesisht në kryeqytet.
“Nuk parkohet të rrinë makinat të stacionuara një-dy ditë, tre muaj etj. Nuk ndodh kjo, pasi ka një rregullore që vjen makina e policisë bashkiake e merr me karrotrec e ikën. Ajo që kërkoj unë është që t'ja heqim mundësinë e abuzimit këshillave bashkiakë, e vendosjes së parkingeve me pagesë në akset kryesore e rrugët e rëndësishme," tha ai.
Vetë anëtarët e komisionit kërkuan shtyrjen e mbledhjes pasi kërkojnë që prezent të jenë edhe përfaqësues të këshillit bashkiak në mënyrë që të arrijnë në një konsensus për të miratuar në nivel zone ndarjen e parkimeve në 50% publike dhe 50% private.
