Zvarritet rindërtimi i “Emin Durakut”, 1300 nxënës të shpërndarë në dy shkolla të tjera, mësim me dy turne

Rindërtimi i shkollës 9-vjeçare Emin Duraku në Tiranë, që u dëmtua nga tërmeti i tre viteve më parë nuk ka nisur ende.

Shkak mendohet të jetë moszbardhja e lejes së lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit në 26 prill të këtij viti.

Prindërit e nxënësve të shkollës, përmes një shkrese drejtuar Agjencisë së Zhvillimit të Territorit në 25 tetor, kanë kërkuar zbardhjen e lejes dhe fillimin e punimeve në këtë institucion.

Prej shtatorit rreth 1 mijë e 300 nxënës të kësaj shkolle zhvillojnë mësim pasdite në dy institucione të tjera, në shkollën "Sabahudin Gabrani" dhe "Vasil Shanto".

Prindërit thonë se ata vetë, por edhe fëmijët po ndeshin vështirësi.

"Kam pajtuar dikë që të më marrë fëmijën sepse nuk më rakordon fare me oraret e mia të lëvizjes së punës. Nga tërmeti gjithça ndryshoi, sistemi arsimor i ciklit të ulët e kaloi mësimin pasdite. Nisi që në fillim gabim."

Madje ka prindër që i kanë çregjistruar fëmijët nga “Emin Duraku”, pasi nuk kanë pasur mundësi t`i shoqërojnë të vegjlit në shkollë pasdite.

Në Tiranë ka ende shkolla në të cilat procesi i rindërtimit nuk ka nisur, ndërsa në të tjerat punimet akoma nuk kanë përfunduar, duke i detyruar nxënësit të zhvillojnë mësim me turne në të tjera institucione.