“Absurditet të taksosh lëvizjen e lirë”, Dhori: Të ardhurat nga parku i Divjakës shkojnë në destinacion të pashpjegueshëm

Deputetja e PD Ilda Dhori në një intervistë për Ora Neës me gazetaren Besmira Pelushaj fol rreth vendimit për vendosjen e taksës për të hyrë në parkun e Divjakës.

Sipas saj kjo taksë është në kundërshtim me të drejtat e njeriut për të lëvizur i lirë në pasuritë publike.

Ilda Dhori: Është në kundërshtim me të drejtat e njeriut për të lëvizur i lirë në pasuritë publike. Fakti që po taksojmë lëvizjen e lirë në një park kombëtar këtu jemi në absurditet. Është paligjshmëri e hapur dhe ministra nuk ka asnjë argument. Është e vetmja rrugë hyrëse në plazhin e Divjakës, po taksojmë oksigjenin, po taksojmë një pasuri që ju përket gjithë shqiptarëve. Po kërkojnë të na taksojnë lëvizjen, të na taksojnë ajrin. Nuk është vetëm një çështje personale e banorëve është një çështje që prek bizneset. Burimi kryesor i tyre janë banorët e Lushnjes, të qyteteve përreth. Është pasuria jonë, identiteti jonë dhe ne do ta mbrojmë.

Deputetja shprehet se parku ka gjeneruar të ardhura por paratë shkojnë në destinacion të pashpjegueshëm.

Ilda Dhori: Parku i Divjakës siç është gjeneron të ardhura por ministrja nuk ka informacion. Gjeneron të ardhura të konsiderueshme që shkojnë në destinacion të pashpjegueshëm pasi duket në investimet që bëhen. Këmbëngulja është se dikur kishte një marrëdhënie më të mirë mes pushtetit lokal e qëndror dhe menaxhimin e të ardhurave ja kanë lënë bashkisë Divjakë. Janë të ardhura që janë mbledhur pa kupon tatimor.

Në Divjakë vijon revolta kundër taksës për të hyrë në “Pyllin e Lirisë”, siç e quajnë tashmë ata parkun Kombëtar. Këtë të premte, 18 nëntor, ata marshuan nga qendra e qytetit deri në vendin ku parashikohet të ngrihet trau dhe thyen kabinën e pagesës.