Pronarët e tokave kompesohen vetëm me 10%
Drafti i Qeverisë për rimbursimin e pronave të atyre që i kanë humbur tokat e tyre duke u shndërruar në prona shtetërore gjatë periudhës komuniste ka shkaktuar debate mes mazhorancës dhe opozitës në komisionin e ligjeve.Qeveria parashikon një rimbursim deri në 10% të pronarëve. Por kjo është cilësuar si qesharake dhe tallëse nga opozita, e cila kërkoi shtyrjen e mbledhjes me qëllim konsultimin me grupet e interesit.
Qeveria parashikon një rimbursim deri në 10 %të gjithë atyre që pronat iu konfiskuan nga shteti shqiptar në kohën e komunizmit dhe që u përdorën për qëllime shtetërore.
Projektligji në fjalë është pritur me kundërshtime të forta nga ana e opozitës në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.
Për deputeten e PD-së Dhurata Çupi nisma është qesharake, ndërsa theksuan se nëse qeveria do të donte drejtësi do t’i kthente pronarëve të tokave të Portit të Durrësit pronat e tyre.
Në replikë Kryetarja socialiste e komisionit Klotilda Bushka u shpreh se këtë do t’ia lënë në dorë pronarëve që do të kompensohen për ta vlerësuar.
Ndërkaq, opozita theksoi së për të miratuar këtë projektligj duhet të konsultohen më parë me grupet e interesit.
Kjo kërkesë ra në vesh të shurdhër nga ana e socialistëve.
Duhet theksuar se nisma e Qeverisë për kompensimin e pronarëve të prekur nga regjimi komunist vjen pas vendimit të dy viteve më parë të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e cila shpalli si të papranueshme “Çështjen Beshiri kundër Shqipërsisë” dhe 11 çështje të tjera të ngjashme pronash, duke pranuar skemën e re të kompensimit të ish-pronarëve në Shqipëri si një mjet ligjor efektiv.