“Marrëveshja për portin e Durrësit plan mafioz”, Nesho: Të shporret qeveria, është kundër interesave të shqiptarëve
Marrëveshja për portin e jahteve dhe investimeve në Durrës është kthyer në qendër të debateve politike. Opozita e kundërshton projektin madje e cilëson atë si plan mafioz.
Nënkryetar i Partisë së Lirisë, Agim Nesho në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj
Agim Nesho: Është plan mafioz. Investime të tilla janë bërë vetëm në vende oligarkike si në Bjellorusi. Interesat e Ramës janë më të mëdha se interesat e popullit shqiptar. Është një aferë ku ata që do të investojnë do të marrin shumë më tepër sesa vend jonë.
Si do ta ndalojë opozita projektin?
Agim Nesho: Ndalimi është të shporret sa më shpejt kjo qeverisje e cila ka synim ta kthejë Shqipërinë në një tokë të djerrë, ku klasa që përfiton nga aferat e qeverisë të jetë zot i tokës shqiptare. Duan që më mirë të ketë bangladeshas në vend sesa të ketë shqiptarë që marrin fatin e vendit në dorë. Janë veprime të njëanshme për të justifikuar veprimtaritë kriminale të drogës, të pastrimit të parasë dhe të interesave të një klike të caktuar.
Sipas Neshos një ditë ata do të japin llogari por kjo do të jetë me kosto dhe për shqiptarët.
Agim Nesho: Ky popull duhet të ndërgjegjësohet dita ditës. Ne duam që interesat e popullit të mbrohen nga institucione të legjitimuara. Kjo qeveri është kundër interesave kombëtare. Shqipëria do të katandiset në të ardhmen në një vend që do ta ketë të vështirë ti bashkohet BE. Nuk do të ketë asnjë gjë se këta do të bëjnë koncesionin dhe këta kërkojnë që populli shqiptar të paguajë. Një ditë ata do të japin llogari por kjo do të jetë me kosto dhe për shqiptarët.
