Tokën për portin dhe pallatet, qeveria: Sipërfaqja nuk do jepet kolateral për banka, s’ka pronarë shqiptarë
Qeveria deklaron se për realizimin e ndërtimit të portit të ri të Durrësit sipërfaqja e tokës që do të shfrytëzohet nuk do vihet kolateral për bankat. Ndërsa mohon akuzat e opozitës, qeveria thotë se në këtë projekt nuk ka pronarë shqiptarë.
Edhe pse komisionet parlamentare janë të angazhuara për diskutimin e buxhetit të vitit 2022, gjithçka është ndërprerë për të shqyrtuar marrëveshjen për portin e jahteve dhe investimet në Durrës.
Pas më shumë se një orë përplasjeje me opozitën përfaqësuesit e qeverisë sqaruan se nuk ka ndryshim të investitorit në projekt, pavarësisht se kompania do të jetë në një shtet të konsideruar ofshore.
“Janë zoti Alabar dhe familjarët e tij.”
Zëvendësministri Besard Kadia ka sqaruar se shteti bëhet aksioner me 33 për qind të aksioneve, vlerë kjo e investimit e barabartë me tokën që do ti lihet pa pagesë kompanisë.
“Bëhet fjalë për 80 hektarë në dispozicion të investitorit strategjik. Shteti është palë dhe është investitor strategjik.”
Akuzave se toka do të vendoset edhe si kolateral për të marrë kredi si në rastin e incineratorëve përfaqësuesit e qeverisë iu përgjigjen me mohim.
“Prona nuk vendoset asnjëherë në kolateral për financimin e projektit.”
Pas këtij projekti Durrësi do të jetë me dy porte atë të jahteve dhe atë të përpunimit të mallrave, që do të zhvendoset me fondet e vetë autoritetit portual.
“Një port të specializuar turistik dhe një port tregtar. Porto Romano absolutisht është i përshtatshëm për të ndërtuar një port tregtar.”
Por në rast se investimi i parashikuar nuk realizohet tërësisht, në marrëveshje parashikohet që çdo punim t’i kalojë shtetit shqiptar pa asnjë pagesë.
“Në rast se subjekti nuk realizon dot projektin çdo investim që ka bërë i rikthehet shtetit shqiptar pa asnjë kosto, pa asnjë detyrim ndaj shtetit shqiptar.”
Emigrimi boshatis shkollat, mbyllen 103 institucione në 4 vite
15 Nëntor, 15:58
Për mundësinë e pastrimit të parave, në komisionin e ekonomisë u premtua se nuk do të ketë asnjë pronar apo emër shqiptar që do të jetë pjesë e aksionerëve.
“Nuk ka entitete shqiptare që janë të përfshir anë këtë angazhim publik të investitorit të huaj.”
Gjatë diskutimeve u theksua se nuk është kompania arabe që merr statusin e investitorit strategjik, por qeveria shqiptare ka krijuar një tjetër subjekt të bashkuar me financuesin kryesor që e kanë marrë këtë të drejtë.

