Emigrimi boshatis shkollat, mbyllen 103 institucione në 4 vite

Emigrimi masiv jashtë Shqipërisë në 4 vitet e fundit është bërë shkak për mbylljen e 103 shkollave në gjithë vendin. Përfaqësues të sindikatës së arsimit thonë se një tjetër arsye është edhe mungesa e investimeve në infrastrukturë.

Fenomeni i largimit masiv të shqiptarëve po ndihet në sistemin parauniversitar në të gjithë vendin.

Nevruz Kaptelli: Kemi shifra të tilla që duken të pabesueshme. Vetëm këtë vit shkollor në të vetmin gjimnaz që ka Kukësi janë 5 klasa më pak sesa vitin e kaluar. Në këtë shkollë ku jemi sot dje është larguar një familje dhe ka marrë dhe nxënësit, fëmijët e tyre me vete.

Kreu i sindikatës së arsimit, Nevruz Kaptelli thotë se mungesa e investimeve në infrastrukturë është një tjetër arsye që po ndikon në braktisjen e shkollës.

Nevruz Kaptelli: Gjithë ajo lagje, ai komunitet është lënë larg vëmendjes së bashkisë. Të gjitha rrugët janë të pashtruara, të ngushta dhe të papërshtatshme për një institucion edukimi që ndodhet në mes të asaj lagjeje.

Pa zgjidhje mbetet edhe braktisja e arsimit nga nxënsësit e komunitetit rom dhe egjiptian. E kjo sipas Kaptellit vjen për shkak të mungesës së mbështetjes financiuare nga institucionet shtetërore.

Nevruz Kaptelli: Nga takimet që patëm me mësuesit arsyeja kryesore e mosardhjes së nxënësve të këtyre komuniteteve në shkollë është se një pjesë e tyre janë pa prindër. Dhe imagjinoni një vajzë 12 vjeçe që jeton pa prindër të mbajë dhe vëllain e motrën në shtëpi pa asnjë lloj përkujdesje ekonomike.

Jo vetëm pa nxënës, por shkollat rrezikojnë të mbeten edhe pa mësues, të cilët ankohen për subvencionet e transportit.

Këto shqetësime u ngritën nga përfaqësues të sindikatës së mësuesve të cilët bënë një inspektim në disa shkolla në Elbasan.

Sipas Drejtorisë së Arsimit të Përgjithshëm, nga viti 2018 deri sot janë mbyllur 103 shkolla të të gjithë vendin. Si pasojë e reduktimit të numrit të nxënësve, shumë institucione arsimore janë mbyllur dhe të tjera janë bashkuar me ato të zonave më të afërta. Kjo ka cënuar aksesin në arsim pasi shkollat janë larguar nga vendbanimi I nxënësve. Gjithashtu ka ndikuar në cilësinë e mësimdhënies.