Berisha për primaret e PD-së: Deri tani janë mbi 200 aplikantë me CV suksesi

Mbi 200 persona  kanë aplikuar për të  kandiduar për kandidat për kryetar bashkie në primaret e thirrura nga Partia Demokratike.

Shifra u bë me dije nga kreu i PD-së, Sali Berisha, në mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie, ku shtoi se ata janë individë me histori suksesi.

Ish-kryeministri nënvizoi se primaret treguan diferencën nga zgjedhjet e kaluara, ku sipas tij, vendosi mafia për kandidatët.

Berisha: Sot kemi një mbledhje me rend dite, një çështje që është themelore për aktualitetin e PD-së. Miratojmë kandidaturat e paraqitura për bashkitë në përputhje me statutin nga bashkitë e vendit.

Komisioni i Operacioneve Zgjedhore më ka informuar mua se deri më tani janë mbi 200 e ca personalitete politike, të shoqërisë civile dhe të tjerë, të cilët kanë aplikuar për të kandiduar për qytetar të parë të bashkive tona.

Unë kam një falënderim për secilin prej tyre. Këta janë personalitete të shquara të partisë, të jetës publike të vendit, individë me jetëshkrim suksesi dhe secili prej tyre me kandidimin, me besimin që ka shprehur, dëshmon vullnetin për të qenë një misionar i rikthimit të pluralizmit politik dhe një shërbëtor i qytetarëve të cilët paraqiten për votëbesim në radhë të parë të anëtarësisë dhe simpatizantëve të PD, dhe më pas të qytetarëve të qytetit.

Gjykoj se meritojnë vlerësim, falënderim sikundër, dua të theksoj këtu se primaret kanë ngjallur një interes të madh te qytetarët dhe një vlerësim shumë pozitiv.

Kur kujton këtu këtë proces kaq transparent në çdo hap dhe vendim të tij, dhe kujton procesin tjetër si në shpellën e mafias, se nuk merr kush vesh, se vendos mafia për kandidatët, ne besoj se arritëm të tregojmë, dëshmojmë diferencën që na takonte, të dëshmojmë se jemi dhe do të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve shqiptarë, para demokratëve dhe transparent para shoqërisë shqiptare.

Të vendosur të respektojmë vullnetin e lirë të anëtarëve të simpatizantëve të PD-së në primare dhe pastaj me qytetarët. Edhe një herë shumë faleminderit për të gjithë ata që e nderuan, kanë nderuar.