I morën jetën për 10 mijë euro/ Zbardhet vrasja e shqiptarit pas pijes në lokal, arrestohet grekja dhe shqiptari, në kërkim një rom
Policia e Sigurisë së Kalamatës ka mbërritur në gjurmët e autorëve të krimit të rëndë me viktimë, një fermer 31-vjeçar nga Shqipëria, i cili u gjet i varrosur një ditë më parë në plazhin e Kartelës në Kyparisia.
Bëhet fjalë për një shqiptar 30-vjeçar dhe një greke 30-vjeçare, ndërsa në kërkim është bashkëpunëtori i tyre, një 24-vjeçar rom.
Sipas të dhënave të marra nga hetimi policor, motivi i autorëve ka qenë grabitja.
Mediat greke raportojnë se viktima dhe autorët dyshohet se po argëtoheshin mbrëmjen e së dielës në një lokal në Kyparisia.
Sipas të njëjtave informacione, viktima dyshohet se ka pasur në posedim një shumë të madhe parash, që arrin në 10 mijë euro.
Autorët duket se e kanë kuptuar këtë dhe kur grupi ka dalë nga lokali, e kanë çuar 31-vjeçarin në plazhin e Kartelës, ku e kanë goditur disa herë me një send metalik në kokë, duke e vrarë.
Më pas ata e varrosën trupin në rërë për të fshehur veprën e tyre.
Që në momentet e para policia shoqëroi disa persona dhe mori deklarime, të cilat më në fund i kanë mundësuar identifikimin dhe rënien në gjurmët e autorëve.
30-vjeçari shqiptar dhe 30-vjeçarja greke janë pikasur dhe arrestuar mbrëmjen e së martës në afërsi të Zevgolatio të Bashkisë Oichalia, ndërsa 24-vjeçari është ende në kërkim.
Dy të arrestuarve ju gjetën 5300 euro, të cilat dyshohet se vijnë nga grabitja e viktimës.
Ndaj dy të arrestuarve dhe ndaj 24-vjeçarit janë ngritur akuzat për vrasje dhe grabitje.
Të arrestuarit me dosjen në ngarkim të tyre u dërguan në prokurori, ndërsa hetimet e policisë vijojnë nga Drejtoria e Sigurimit të Kalamatës.
