“Të dëgjohet zëri i çdo shqiptari”, Begaj pritet me valle në Tropojë, takime në qytet dhe Valbonë

Presidentin Bajram Begaj e pritën me vallen simbol të Tropojës në vizitën e parë zyrare në bashkinë verilindore që pas zgjedhjes në krye të shtetit.

Si rrallëherë që prej marrjes së detyrës zgjodhi të ecë në këmbë në shëtitoren kryesore të Bajram Currit.

Me kryetarin e bashkisë Rexh Byberi diskutuan për sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet komuniteti.

Kreu i Shtetit kërkoi që të sigurohet shërbimi shëndetësor edhe në zonat e largëta, të investohet në turizëm si dhe të krijohen mundësitë për të mbështetur të rinjtë të projektojnë të ardhmen në vendin e tyre.

I shoqëruar nga zonja e parë Armanda Begaj, Presidenti ishte dhe në gjimnazin "Asim Vokshi".

"Fëmijët janë e ardhmja. Si i edukoni sot ju, ata do të jenë nesër."

Në fund të vizitës, presidenti Begaj vizitoi Parkun Kombëtar të Valbonës dhe u takua me përfaqësuesit  e biznesit, të cilët evidentuan si shqetësim sigurimin e energjisë, legalizimin e pronës si dhe infrastrukturën.

Nga Tropoja, Kreu i Shtetit kërkoi që të dëgjohet zëri dhe halli i çdo shqiptari.

"Është detyrë e pushtetit vendor, e institucioneve përgjegjëse për ti ndihmuar këtë njerëz për çfarëdo gjëje që u nevojitet, për të bërë sa më të mundur jetesën dhe begatinë e kësaj zone."

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një tur takimesh në tre bashkitë e qarkut Kukës, ndër më të prekurat nga fenomeni i shpopullimit por që njëkohësisht vuajnë dhe mungesën e investimeve.

“Të dëgjohet zëri i çdo shqiptari”, Begaj“Të dëgjohet zëri i çdo shqiptari”, Begaj