Opozita kundër buxhetit 2023, Bushati: Diskriminon Veriun; Korreshi: Lë shqiptarët lakuriq!
Opozita ka kundërshtuar buxhetin e vitit 2023 pasi sipas saj me këtë buxhet të parashikuar shqiptarët do të mbeten me xhep në duar. Por deputeti socialist Arben Ahmetaj i është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës, duke pretenduar se të gjithë të prekurit e tërmetit janë ndihmuar nga mazhoranca.
Për deputetin demokrat Helidon Bushati, qeveria përmes buxhetit të vitit 2023 ka lënë në harresë veriun.
Nga foltorja e Kuvendit ku po shqyrtohej nen për drafti, Bushati theksoi se qytetarëve të katër qarqeve të veriut u duhet të presin edhe 5 vite për të ndërtuar aksin rrugor Milot-Balldren.
“Buxheti i 2023, buxheti i harresës për Veriun. Pse është i harresës? Sepse për 4 qarqe, Lezhës, Dibrës, Kukësit dhe Shkodrës, nga 340 mln euro fonde për investime, shkojnë vetëm 58.9 mln euro.
Nëse i heqim kostot për rrugën e Arbrit, shkon vetëm 9.1%. Ja pra për investimet kjo qeveri për 4 qarqe i vlerëson as me 10 % të fondit. Më në fund ministrja e Infrastrukturës dha në Komision një lajm: Është anuluar tenderi për aksin Milot-Balldren.”
Në replikë ish-ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj pretendoi se qeveria i ka ndihmuar qytetarët ndaj dëmeve të tërmetit, edhe pse pas 3 vitesh nga ngjarja tragjike ka ende familjarë e të moshuar që jetojnë nën çadër.
“Baltë mund të hedhës sa të duash, shyqyr shqiptarë mund të ikin e të vijnë, kufijtë janë të hapur. Janë tre probleme të mëdha që kanë ndodhur këto kohë, tërmeti, pandemia, lufta. të gjitha kanë shkuar te tryeza e bukës. Kemi marrë të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme nga tërmeti dhe i kemi ndihmuar nga mendja nga zemra e kësaj maxhorance.
Një përmbytje ndodhi në Veri dhe i latë pa bukë. Maqedonia iu jep për 3 muaj nga 100 euro. Ne i japim çdo muaj faturës më të ulët dhe normale, gati 4 mln lekë të vjetra në vit. Një biznesi që e paguan sot me 18 lekë pa TVSH kilovatin, i shkon 24 mln lekë të vjetra subvencioni”.
Por deklaratat për mirëqenie dhe rritje të buxhetit për deputetin demokrat Saimir Korreshi janë gënjeshtra dhe mashtrime të qeverisë.
“E di si është buxheti juaj, si do t’i lërë shqiptarët këtë vit? Lakuriq me duar në xhep. Kjo do ndodhë me gjithë shqiptarët. Sepse ju gënjeni. Mund të thoni se keni rritur 5 mijë lekë rrogë, ndërkohë që keni rritur vetëm bukën me 500 lekë, pa marrë asnjë produkt tjetër. E di sa janë rrogat në Lushnjë, minimalet nuk i kalojnë 250 mijë lekë të vjetra.
Sfidoj gjithsecilin nga ju të marrë një 250 mijë lekëshe ta mbajë në xhep vetëm të hënën dhe të martën se gjithë muajin nuk besoj. Po të vesh të mbash dhe fëmijët, po të kesh një fëmijë në shkollë të lartë, ta sjellësh me qira në Tiranë. Do 700-800 mijë lekë vetëm konvikti, mencat jo e jo. Ju doni të hyni në Europë me çmimet më të shtrenjta në Europa dhe rrogat më mizerabël”.
