Tabaku kundërshton buxhetin e qeverisë për 2023: Para se ta votoni, bëni llogari me laps në tryezën e bukës
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e ka kundërshtuar me forcë buxhetin e qeverisë për 2023.
Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku u bëri thirrje kolegëve të mazhorancës se para se të votojnë buxhetin dhe paketën fiskale të ulen në një tavolinë si çdo shqiptar dhe të bëjnë llogaritë e shpenzimeve.
Tabaku: Përpara se të votoni për këtë buxhet dhe paketë fiskale. Uluni përpara tavolinës së bukës si çdo shqiptar, merrni një laps dhe një letër dhe nisni të bëni llogaritë e shpenzimeve.
Llogarisni se çfarë keni blerë këto ditë, sa kanë ndryshuar dhe se si ky buxhet që premton si çdo vit rritje bombastike ka ndonjë zgjidhje për hallin e 95% të shqiptarëve? Ka ndonjë zgjidhje për këstet e kredive? Për inflacionin 4.3%? Për fuqinë blerëse më të ulët në rajon ende pa ardhur kriza?
Mos i hapni rrugë një buxheti të mangët. Ka ardhur koha që të miratojmë së bashku një kod fiskal me rregulla të qarta për të eleminuar përjashtimet e padobishme nga taksat. Një Kod Fiskal që të mos ua ngecë barrën e taksës që hiqet nga një palë, grupin më të dobët që nuk i hapet dera e ministrisë. Ka ardhur koha të jemi më të mençur që mos përfundojmë të shpenzojmë për këstet e Eurobondit po aq sa investojmë në arsim.
Inovacioni nuk ndërtohet nga hiçi vetë. As teknologjia dhe arsimi nuk prodhojnë rritje ekonomike vetiu por ata kanë nevojë për një treg të lirë. Mungesa e tregut prodhon hemoragjinë që ne po vuajmë sot, emigracionin. Ndaj gjithë këto minuta të shpenzuara këtu për demagogji mund të ishin shpenzuar ndryshe, nëse do kishte vullnet për një buxhet për qytetarët.
Tabaku vuri në dukje se ky nuk është një buxhet që sheh hallet e tavolinës së bukës dhe rritjes së çmimeve.
Tabaku: Presioni i rritjes së çmimeve është lënë tërësisht të bie mbi xhepin e qytetarëve që nga muaji në muaj duhet të luten që qeveria të shtyejë me nga një muaj dhe shtrenjtimin e energjisë elektrike edhe pse sot çmimi i energjisë në bursat e Hungarisë është më i lirë se sa një vit më parë.
Edhe pse qeveria për energjinë elektrike ka vendosur në dispozicion sipas saj 100 mln euro për vitin 2022 sërishmi shqiptarët shohin me sytë nga ekrani me shpresën që qeveria përmes Noterit ERE të shtyejë vendimin për fashat dhe për rritjen e energjisë.
Mishi sot është thuajse 15% më shtrenjtë se sa një vit më parë, produktet e bulmetit dhe qumshtit janë shtrenjtuar në thuajse 25% në raport me një vit më parë. Ndërsa vezët dhe yndyra në thuajse 30%.
Pra peshën kryesore të rritjes së çmimeve e ka shporta e produkteve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, pra çdo produkt që shqiptarët blejnë përditë në marketet e lagjeve për të konsumuar në tavolinën e tyre.
Shumica e familjeve të shtresës së mesme në vend ka nisur të ndjejnë peshën e tepërt të kësteve të kredisë ndërkohë që shtrenjtimi i jetesës do të thotë që ato duhet të fusin gjithnjë e më shumë dorën në arkën e tyre të kursimeve për të mbajtur ritmin e çmendur të çmimeve që rriten.
Tabaku i tërhoqi vëmendjen qeverisë Rama se ka 10 vite që flet për ekonominë më të mirë dhe vendi është ende në vendnumëro. Pa zgjidhje, pa ofertë por vetëm me një batutë në xhep.
Këto qëndrime deputetja demokrate i evidentoi edhe në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj.

Tabaku: Shqipëria sot është në udhëkryq dhe në këtë udhëkryq ne duhet të binim dakord për disa gjëra. E para duhen mbështetur shtresat në nevojë dhe kjo nuk ndodh. Ka një rritje minimale ndërkohë që norma e inflacionit shkon në 8.3%. Së dyti, duhet të eleminoheshin të gjitha shpenzimet që nuk janë prioritare, koncesionet.
Së treti, nuk duhet të kishte rritje taksash ndërkohë që edhe këtë vit nga rritje taksash. 130 milion euro dhe 380 në total që do të vijnë kryesisht nga gjobat. Këto tre shqetësime në një vit krize unë besoj që qeveria duhet të kishte qenë e përgjegjshme ti dëgjonte.
