3 vjet pasiguri pas tërmetit, banorët: Na thanë se pallati është DS3, tani duan që ta shembin
Tre vjet pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të 2019, 42 familjet e pallatit 196, në Durrës janë ende të paqartë se çfarë do të bëhet me shtëpitë e tyre.
Nga vlerësimi i parë, objekti u klasifikua në shkallën e dëmtimit DS3, ndërsa për gjithë këto vite banorët u ndjenë të sigurtë pas rikonstruktimeve në objekt.
Por tanimë, ata nuk janë më të sigurt për objektin, pasi deklarojnë se nga Bashkia u kanë thënë se pallati mund të shembet.
“Ne jemi 42 familje, pallati kur u inspektua u vendos që është DS3. Kur erdhi kjo zonja dhe thotë, tani ju prishini, ku e ke procesvebalin që duhet të prishet?
Të gjithë DS3-at kanë mbaruar si projekt, përse pallati jonë do dali DS4,DS5?” thanë banorët.
Ata thonë se janë dërguar sa në një zyrë, në një tjetër, pa pasur kurrë një përgjigje se çfarë do të bëhet me ta.
“Ne vijmë dhe ankohemi këtu, na përbuzin me fjalë. Prandaj unë kam një mendim të takojmë kryetarin e bashkisë, nuk na ka prit njeri. Ik,ik na thonë se i ka bër zoti këto punë. As bonus qeraje nuk na kanë dhënë,” tha një qytetare.
Rindërtimi pas tërmetit të 2019 ka sjellë herë pas here shqetësime tek qytetarët e shumtë, që janë prekur nga dëmtimet e shtëpive e apartamenteve të tyre.
