Zero lekë për kërkim shkencor/ Jo vetëm Qeveria, por edhe Universitetet s’janë të interesuara për cilësinë e arsimit
Universiteti i Tiranës dhe ai i Korçës nuk kanë shpenzuar asnjë lek në këtë vit akademik për kërkimet shkencore, ndërsa për sigurinë e godinave janë investuar mbi 2 mln euro. Aktivistë të shoqërisë civile dhe pedagogë kërkojnë transparencë për këto shpenzime.
Edhe këtë vit universitetet kanë shpenzuar më shumë para për sigurinë e godinave sesa për kërkimet shkencore.
Në analizën e shpenzimeve financiare për vitin akademik 2021-2022 rezulton se për 6 universitete publike janë dhënë 16 316 euro për kërkimet shkencore.
Mes tyre Universiteti i Tiranës dhe i Korçës nuk kanë dhënë asnjë lek për këtë.
"Universiteti i Tiranës për të tretin vit radhazi e ka zero zërin e kërkimit shkencor".
Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 2 mln euro për ndërtimin e katit të Fakultetit të Shkencave Sociale, ndërsa Universiteti i Durrësit ka shpenzuar rreth 1 mln euro për ndërtimin e murit rrethues të kampusit.
Veç këtyre investimeve në 6 universitetet e marra në studim janë shpenzuar edhe 2042087 euro për policinë private.
"Nga 6 universitetet janë shpenzuar rreth 2.1 milion euro për rojet e godinave."
Politekniku me paratë e studentëve, thuhet në studim, ka blerë 84000 euro letra A4 dhe 100 mijë euro bojëra printer.
"Është blerë letër A4 84 mijë euro".
Sipas studimit të bërë nga Qëndresa Qytetare dhe Friederich Ebert, në Universitetin e Tiranës, Politeknikun, Universitetin e Shkodrës, Elbasanit, Durrësit dhe Korçës rezulton se shpenzime të shumta janë bërë edhe për karburant makinash, telefon dhe internet, zëra të cilat arrijnë vlerën prej 175 403 euro.
