"Bashkëjetesë me të vdekurit", në Lezhë varrezat pranë shtëpive
Banorët e lagjes “Nënë Tereza” në Lezhë, kanë denoncuar faktin që varrezat janë pranë shtëpive të tyre dhe askush nuk po ndërhyn.
Ata thonë se varrezat e reja po krijohen vetëm disa metra nga shtëpitë ndërsa kjo gjë është kthyer në burim përplasjesh mes banorëve.
Pamjet i përkasin varrezave, në lagjen “Nënë Tereza” të qytetit të Lezhës.
Në mungesë të hapësirave, të vdekurit po varrosen në rrugë dhe pranë banesave në këtë zonë.
Kjo problematikë vijon prej të paktën dy vitesh, duke u kthyer në shqetësim për banorët.
Ata thonë, se varret janë kthyer në biznes dhe burim konfliktesh në këtë zonë.
“Po shiten, shkon deri në 100 mijë lekë të reja, ose 1 milion të vjetër” tha një banor.
Banorët tregojnë se janë ankuar disa herë tek institucionet përgjegjese, por asnjë masë nuk është marrë për ti dhënë zgjidhje problematikës.
“Shqetësim është por nuk kemi çfarë të bëjmë,kur nuk vë dorë shteti. Shteti thotë është tokë e shtetit, duam ti zëmë. Shkuam në bashki dhe u thamë, mos ti bënin kështu. Ata i bënë si deshën. Varrezat shumë problem janë, kaq afër shtëpisë,” thanë banorët.
Sipas të dhënave, varreza në këtë zonë është informale, por institucionet përgjegjëse vijojnë të heshtin përballë kësaj situate.