Ktheu lokalin në vend organizimi të lojërave të fatit, prangoset 31-vjeçari në Kurbin
Një 31 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Kurbinit pasi akuzohet se ka përshtatur lokalin, për organizimin e lojërave të fatit.
Arrestimi i tij u bë falë finalizimit të operacionit policor të koduar "Game over 2".
“U arrestua në flagrancë shtetasi B. M., 31 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara", njofton policia.
Ky shtetas kishte përshtatur lokalin e tij, në Sanxhak, për organizimin e lotarive të palejuara.
Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, në ambientet e lokalit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 tavolinë pokeri, fisha, letra bixhozi dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.
