Fëmijët i kishte larguar nga shkolla dhe jetonin në varfëri, radikali fetar dhunonte e mbante të ngujuar familjen e tij
Detaje të reja zbardhen për ngjarjen e rëndë të zbuluar këtë të diel në kryeqytet, ku kryefamiljari Xherxh (Gjergj) Laçi 52-vjeç, mbante të ngujuar prej 6 vitesh familjen e tij.
Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për bashkëshorten dhe dy djemtë, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç. Këta të fundit pasi kishin përfunduar arsimin 9-vjeçar, u ishte ndërprerë vijimi nga i ati, ndërsa dhunoheshin dhe kërcënoheshin vazhdimisht prej tij.
Familja me origjinë nga Dibra që jetonin prej disa vitesh në Tiranë, jetonte në kushte ekstreme ekonomike dhe asnjëri nga familjarët nuk punonte.
Kryefamiljari që tashmë ndodhet prapa hekurave pas operacionit të Komisariatit Nr. 4 dhe Antiterrorit, konsumonte alkool, ndërsa privonte gruan dhe dy djemtë si dhe i dhunonte ato.
Për tu ushqyer ndihmoheshin nga vëllai dhe babai i bashkëshortes së Laçit, të cilët u dërgonin ushqim e veshmbathje.
Ndërkohë, pas zbulimit të rastit, fëmijët e mitur dhe nëna e tyre janë dërguar në një qendër të trajtimit të veçantë të personave që bien pre e dhunës.
Ata kanë rrëfyer të gjitha episodet e dhunës dhe veprimet e kryefamiljarit Xherxh Laçi. Ky i fundit u cilësua nga policia e kryeqytetit si person me bindje radikale, ndërsa mësohet se frekuentonte dhe institucionet e kultit.
Prej 9 muajsh ishte distancuar nga ky ritual, ndërsa qëndronte në shtëpi, konsumonte alkool dhe ushtronte dhunë ndaj familjarëve.
Ai mbante një thikë poshtë dyshekut të krevatit, me të cilën edhe shantazhonte fëmijët dhe bashkëshorten, ndërsa është mes sendeve materiale të sekuestruara nga Policia.
Momentalisht 52-vjeçari ndodhet brenda ambienteve të paraburgimit për tu marrë në pyetje, ndërsa paralelisht po kryhen veprime nga grupi hetimor për të zbardhur të plotë ngjarjen.


