PL: Bujqësia vendase pa mbështetje, fermerët po hedhin prodhimet, ne kemi plane për t’i mbështetur

Përmes një postimi në Facebook, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi bën me dije se fermerëve po u kalben prodhimet në sera, pasi nuk mund t’i shesin dot.

Sipas tij, bujqësia është pa plan dhe mbështetje nga qeveria ndaj dhe fermerët detyrohen të hedhin poshtë prodhimin e tyre duke shkuar drejt falimentimit.

Ndërkohë, Blushi shtoi se Partia e Lirisë ka një plan konkret për t’i dhënë frymëmarrje bujqësisë, përmes kredive të buta për fermerët, fondeve grant dhe uljes së çmimit të naftës.

Blushi: Bujqësia pa plan dhe mbështetje, prodhimi vendas kalbet në sera, fermerët drejt falimentimit! Prodhime të kalbura në sera është tragjedia që përsëritet çdo vit në Roskovec të Fierit. Zarzavet, mundi dhe djersa e fermerëve në fshatin Suk-2 të hedhura dëm, është drama e sektorit të bujqësisë në të gjithë vendin. Ky është “produktiviteti” dhe konkurrueshmëria e ekonomisë tonë në raport me fqinjët nën drejtimin e “Rilindjes” dhe Qeverisë së inceneratorëve dhe koncensioneve. Këto janë shanset e humbura për Shqipërinë, vende pune të humbura, eksporte të humbura, zhvillim ekonomik i munguar, varfëri dhe dëshpërim që detyron të fermerët dhe të rinjtë shqiptarë të ikin nga vendi sepse një ekonomi jo konkurruese nuk prodhon as të ardhme, as punë, as siguri.

Partia e Lirisë ka një program konkret për mbështetjen e fermerëve për t’i dhënë frymëmarrjen dhe mbështetjen e merituar bujqësisë nëpërmjet: Rritjes së investimeve bujqësore përmes mbeshtetjes me kredi të buta dhe fonde grant të fermerëve. Nxitjen e prodhimit bujqësor dhe uljen e kostos së tij, duke ulur ndjeshëm barrën tatimore dhe tarifore për lëndën e parë në bujqësi. Uljen e taksave dhe tarifave për naftën e bujqësisë. Pajisjen me Kartën e Fermerit për të mundësuar dhe garantuar zbritjen automatike të pagesës së TVSh-së për inputet bujqësore, (plehra kimike, fidanë, fara, naftë). Promovimin dhe mbrojtjen e prodhimit vendas nga diskriminimi, spekulimi me çmimet dhe konkurrenca e pandershme.