Boçi thirrje për protestën e 12 nëntorit: Në shesh kundër shpopullimit
Opozita i bëri sërish apel shqiptarëve që t’i bashkohen protestës që do të mbahet në 12 nëntor. Nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi deklaron se kjo protestë po bëhet kundër largimit masiv të shqiptarëve nga vendi, kjo si pasojë e keqqeverisjes së vendit nga Edi Rama.
Nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi iu kërkoi këtë të dielë qytetarëve shqiptarë që ti bashkohen protestës së opozitës në 12 nëntor.
Sipas Boçit kjo protestë po bëhet kundër largimit masiv të shqiptarëve nga vendi, kjo si pasojë e keqqeverisjes së Edi Ramës.
Përmes rrjeteve sociale Boçi shprehet se vetëm të bashkuar mund të largojnë hemorragjinë kombëtare që ka Shqipëria, referuar këtu politikave të qeverisë Rama.
Ai thotë se nga vendi janë larguar mbi 700 mijë qytetarë, një fakt tepër i rëndë ndërsa numri i të larguarve sa vjen dhe po rritet.
Thirrje për t’iu bashkuar protestave përveç anëtarëve të Partisë Demokratike, ka bërë edhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ku u shpreh se këto lëvizje të fuqishme janë e vetmja zgjidhje për të rrëzuar regjimin e krijuar nga Edi Rama dhe qeveria e tij.
Kreu i Partisë Demokratike paralajmëroi protesta të fuqishme që në korrik të këtij viti ndërsa iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve vendas që ti bashkohen.
Emigrimi në masë i të rinjve shqiptarë por jo vetëm, sipas Berishës është kthyer në problemin kryesor të vendit. Opozita është shprehur disa herë se politikat e Edi Ramës po dëmtojnë të ardhmen e të rinjve duke parë si mundësi të vetme braktisjen e Shqipërisë dhe emigrimin në vendet evropian si Anglia, Gjermania, Zvicra dhe më shumë.
Protesta e 12 nëntori do të mbahet në orën 16:00 përpara kryeministrisë dhe opozita është e angazhuar për pjesëmarrje masive për të dhënë dhe një mesazh të qartë jo vetëm mazhorancës por dhe kundërshtarëve brenda selisë blu të linjës së PD-së së diktuar nga kryetari Sali Berisha.