Të rinjtë mbushin ambasadat/ Po lënë Shqipërinë për punë, të ardhura dhe kushte më të mira

Gazmir Kazanxhi, Ardit Trimi, Arsen Bajrami dhe një i ri nga Lushnja, i bën bashkë dëshira për tu larguar nga Shqipëria. Në dyert e ambasadave presin një përgjigje pozitive për tu larguar vetëm ose me familjen

Ardit Trimin tek ambasada greke në Tiranë, ndërsa Arsen Bajramin tek ajo italiane. Të dy kanë aplikuar për vizë punë jashtë Shqipërisë.

"Erdha të aplikoj për vizë pune në Itali. Këtu ka mbaruar çdo gjë. Nuk dua më të rri këtu," tha Bajrami.

"Erdha për aplikim për vizë pune në shtetin grek. Nuk e shoh një të ardhme të mundshme në Shqipëri," tha Trimi.

Ndërsa Gazmir Kazanxhiu prej vitesh jeton në Gjermani dhe ka ardhur të marrë pjesën tjetër të familjes.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Kam gati 5 vjet andej, me letra. Kam 4 fëmijë, tre i kam me letra. Para tre vjetëve kam bërë bashkim familjar. Tani po bëj për vajzën e vogël, kurse bashkëshortja nuk i ka akoma letrat," tha ai.

Edhe Arseni synon që pas disa kohësh të marrë edhe prindërit atje.

"Edhe vëllain andej e kam, do të tërheqim edhe prIndërit. Vëllai ka 5 vjet. Nuk ka asnjë të ardhme këtu. Ato nga ne presin, janë pleq, moshë e vjetër," thotë ai.

Ky i ri nga Lushnja gjithashtu është vendosur prej vitesh në shtetin grek, dhe tregon se është i kënaqur me punën atje.

"Shumë herë më mirë se në Shqipëri. Të paktën unë jam i kënaqur me punën që bëj. Në dimër punoj në ndërtim, ndërsa në verë si bartender në beachbare," tha ai.

Para se të largoheshin kanë punuar edhe në Shqipëri, por këtu nuk patën mbështetje.

"Këtu punë ka plot, por nuk të vlerëson njeri. Ti falim kockat këtyre… Edhe bizneset morën fund, bar-kafetë, minimarketet," thotë ai.

Kushtet e mira të  jetesës janë ndër arsyet kryesore pse shtetet e huaja po tërheqin shqiptarët.

"Më shumë për fëmijët, që të kenë një jetë të mirë. Andej ke shëndetësinë falas, shkollimi është më i mirë se këtu, domethënë i ke të mirat nga të gjitha. Në Shqipëri do të kthehesha vetëm po të fitoja ndonjë Telebingo, apo xhekpot," tha Kazanxhiu.

"Kemi një jetë që punojmë për të ndërtuar shtëpinë dhe tani jemi të detyruar ta lëmë prap në fund të fundit," tha i riu nga Lushnja.

"Kemi pronat tona, familjet, prindërit," tha Trimi.

Në Shqipëri do të ktheheshin vetëm për nostalgjinë e viteve dhe nëse përmirësohen kushtet.