Berisha thirrje demokratëve "zemërthyer": Bashkohuni me trenin e fitores, Edi Rama do shkojë në burg
Kryetari i Partisë Demokratike,Sali Berisha, ka ftuar çdo demokrat që të bashkohet me trenin e fitores.
Për të procesi i primareve që tashmë ka nisur është garanci se kjo fushatë do të jetë më fitimtarja në historinë e Partisë Demokratike.
Berisha: Të gjithë jemi njëlloj para statutit tonë, para ligjit tonë, para të drejtave tona. Edhe njëherë gjej rastin të ftoj çdo demokrat dhe demokrate në këtë betejë.Treni nuk mund të ndalet. Treni ynë është nisur drejt fitores. Nuk ka të ndalur. Për çdo demokrat dhe demokrate ka vend në vagonët e tij, por ai nuk ndalet, nuk e ndalon dot Edi Rama, nuk e ndalon dot asnjë forcë kombëtare e ndërkombëtare, ne besojmë te liria, te interesi kombëtar. Kjo fushatë elektorale do të jetë më e bukura, më e lira, më fitimtarja në historinë e PD.
Në takimin me banorët e Kombinatit, Unazës së Re dhe Astirit, Berisha tha se Edi Rama do shkojë në burg dhe do të përgjigjet para ligjit për të gjitha vjedhjet.
Berisha: Edi Rama në burg. Sado të duket e ashpër, ju them se vjedhjet që ka bërë ai njeri janë më të mëdha se të gjitha qeverive gjatë një shekulli, qëkur është themeluar shteti shqiptar. Ai vend tjetër nuk ka, veçse në burg. Pikërisht për këtë kemi çuar në Parlament ligjin e parashkrimit. Pse e dërguam? I humbet zgjedhjet dhe ia mbath dhe pret që të vijë koha e parashkrimit që të rikthehet. Nuk ka më parashkrim. Edhe prapa diellit të shkojë do ta ndjekë kjo gjer sa të përgjigjet para ligjit.
Berisha hodhi akuza në drejtim të ambasadorëve duke i quajtur të korruptuar dhe se shpifin për të dëmtuar opozitën shqiptare.
Berisha: Nuk mund të pranoj kurrë që ambasadorë të korruptuar në mënyrë më të paimagjinueshme të mund të raportojnë dhe shpifin, s’ka rëndësi për cilin, vetëm e vetëm për të dëmtuar opozitën shqiptare. U them se do mbroj me çdo çmim çdo interes të kombit shqiptar, të Shqipërisë, të demokratëve. Ka vetëm një udhërrëfyes dhe ai udhërrëfyes do të jetë interesi kombëtar i shqiptarëve, do të jetë e vërteta, do të jetë liria e tyre.
Nuk mund të pranoj që të merren vendime për të hapur dhe mbyllur shkolla në vende të tjera në vendin tim, për të mbyllur kopshtet e fëmijëve se paskan lidhje terroriste, për shkak të kundërshtive politike që ka në një vend tjetër. Në mënyrë kategorike nuk do të pranoj qëndrime të individëve të korruptuar në shumë mënyra. Hiqen se po ndihmojnë në një kohë kur dëmtojnë palcërisht vendin dhe kombin tim.
Futuni dhe në google dhe lexoni, Sali Berisha, banda e Elbasanit, e Shkodrës apo Durrësit, dhe do të gjeni qindra shkrime ku unë sulmoj bandat, jo se më kanë kërcënuar se mua se nuk pyes fare, por kanë kërcënuar ju. I kam sulmuar bandat sepse ata kërcënonin qytetarët e thjeshtë, kërcënonin në lagje, kërcënonin gazetarët dhe unë e kam ngritur zërin kundër tyre. Kur kam patur pushtetin e dini mirë ku kanë shkuar dhe atje do të shkojnë prapë. Tani për të mbrojtur lidhjet e qeverisë me krimin, lidhjet e Edi Ramës me krimin dhe të korruptosh dhe të tjerë që e korruptojnë del dhe raporton në qeverinë e tij se ky ka lidhje me këtë bandë e atë bandë.
Nuk e marr personale, por e marr shqiptare, e marr për kombin dhe vendin tim. I them këtu para jush, turp të kesh dhe për këtë do përgjigjesh në vendin tënd dhe në vendin tim. Në vendin tim publikisht. Do t’i nxjerr një nga një këto. Ka vërtetë miq të shkëlqyer, por midis tyre ka të korruptuar fund e krye që flasin dhe lexojnë ato që thotë kjo qeveri e korruptuar. I çohen qeverisë së tij si të vërteta deklaratat e pengut të Edi Ramës, Lulzim Bashës. Por këto nuk janë çështje kaq të rëndësishme. Ne do qëndrojmë si parti e pamposhtur e interesit kombëtar.
