Sulmoi me armë prindërit e ish-gruas, ekstradohet nga SHBA 40-vjeçari i dënuar me 25 vite burg

Ishte dënuar nga Gjykata me 25 vite burg në Shqipëri për plagosjen e prindërve të ish-gruas së tij, arrestohet në SHBA shqiptari i shumëkërkuar Lulzim Sinaj. Arrestimi i 40 vjeçari u realizuar falë bashkëpunimit mes strukturave amerikane dhe shqiptare, ndërsa nga specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Nju Jorku, drejt vendit tonë.

Ekstradohet nga SHBA 40-vjeçari shqiptar Lulëzim Sinaj i akuzuar për plagosjen e prindërve të ish-bashkëshortes, ngjarje e ndodhur në mars 2017 në Ballsh.

Prangosja e Sinajt dhe ekstradimi i tij nga Nju Jurku drejt Shqipërisë u bë i mundur falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Uashington, në SHBA, në koordinim edhe nga DSS në ambasadën e SHBA-së në Tiranë.

Sinaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, në vitin 2021, e dënoi me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Lulëzim Sinaj akuzohet për një ngjarje të ndodhur 5 vite më parë në Ballsh, ku ai plagosi rëndë me armë zjarri, shtetasit Edmond Xhaferraj dhe Ludmidha Xhaferraj, që ishin dhe prindërit e ish-bashkëshortes së tij.

Më datë 12 mars 2017, rreth orës 20:00, në lagjen “28 nëntori” të qytetit të Ballshit, Lulëzim Sinaj, akuzohet se ka trokitur në derën e ish-vjehrrit të tij i veshur me të zeza, me fytyrë të mbuluar, i cili mbante në dorë një armë të mbuluar me qeskë, të cilës i shihej vetëm tyta.

Lulëzim Sinaj ishte martuar në Boston të SHBA-së me vajzën e tyre, Negisa Xheferrajn. Por, pas mosmarrëveshjeve mes tyre, ata janë ndarë 2 vite pa ngjarjes.

Vajza e të dëmtuarve e kishte denoncuar Lulëzimin për keqtrajtim dhe ndaj tij kishte nisur një proces në SHBA. Ndërkohë, sipas deklaruesve, i akuzuari Lulëzim Sinaj ishte lidhur me një vajzë nga Memaliaj.

Nga hetimet rezultoi se Lulëzim Sinaj kishte mbërritur në Shqipëri më datë 7 Mars, ka kryer krimin e tij pesë ditë më vonë dhe është rikthyer sërish drejt Amerikës, ku më pas është arrestuar dhe po vuan dënimin për dhunën e ushtruar ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Për udhëtimin e Lulëzimit drejt Shqipërisë ka qenë në dijeni edhe ish-bashkëshortja, Negisa, e cila i ka porositur prindërit që të mos e prisnin në shtëpi.

Por, pavarësisht kësaj, Lulëzimi ka realizuar planin e tij të hakmarrjes, që fatmirësisht nuk mori dot jetën e dy prindërve të ish-bashkëshortes së tij.