Konfiskimi i Rtv Ora, Alba Kepi: Ditë e trishtë, me ligj media nuk duhet të preket

Gazetarja e Rtv Ora në Romë, Alba Kepi, në një intervistë për Ora News me gazetarin Sebastian Zonja thotë se konfiskimi i Rtv Ora është një rast i paprecedent dhe një njollë e zezë për demokracinë në vend.

Ajo kritikoi edhe reagimin e vakët që politika dhe media në terësi pati mbi këtë rast.

Kepi: E shoh si një moment të vështirë jo vetëm për televizionin  por të gjithë median në Shqipëri. Është një betejë e humbur ajo që ka ndodhur sot me Rtv Ora sa i përket rrugëtimit të Shqipërisë drejt një demokracie të përsosur. Nuk ka humbur vetëm Rtv Ora, nuk është konfiskuar vetëm Rtv Ora por gjithë ajo pjesë e teleshikuesve të këtij televizioni të cilët janë besnikë prej shumë vitesh.

Jemi një televizion që ka përcjellë ndër skandalet më të bujshme në aktualitetin e politikës shqiptare. Është e turpshme të dëgjoje sot që bënë si shembull Agon Chanel. Krahasimi ishte i pavend. E shoh një ditë të trishtë.

Mendoja se do kishte një sensibilizim nga politika dhe kolegët e mediave të tjerë. Me ligj media nuk duhet të preket. Nuk e di motivin e këtij konfiskimi. Nëse konfiskohen muret puna e këtij televizioni si do ecë? E shoh të paprecedentë.