Konfiskimi i Rtv Ora, Kasmi: Hakmarrje politike e Rama-Veliaj, nuk do jetë i fundit nëse nuk reagojmë
Bledi Kasmi, redaktori i gazetës Rilindja Demokratike, ka reaguar ashpër ndaj konfiskimit të Rtv Ora.
Në një intervistë për gazetaren Besmira Pelushaj në Rtv Ora ai paralajmëron se ky nuk do të jetë televizioni i mbyllur që mbyllet nga pushteti nëse nuk ka një reagim të fortë.
Kasmi: Kam ndjekur me shumë shqetësim atë që ka ndodhur me Rtv Ora. Jam munduar të gjej arsyen pse është bërë ky konfiskim, të gjej arsyen juridike në të cilën është bazuar shteti për të bërë këtë konfiskim dhe e kam pasur të vështirë të gjej qoftë dhe një vendim gjykate jo vetëm shqiptar por dhe jashtë që të kenë dënuar pronarin e Rtv Ora me një vendim të prerë për një trafik të caktuar mbi bazën e të cilit më pas të merren vendime të tilla sekuestrimi dhe konfiskimi.
Nëse një njeriu i merret pasuria, i merret prona mbi bazën e një dyshimi kjo nuk është drejtësi. Është një drejtësi si në diktaturë. Është çështja e lirive dhe të drejtave të njeriut. Konfiskohet një televizion vetëm për shkak të mllefeve dhe hakmarrjes politike të Erion Veliaj apo Edi Ramës. Nuk do të jetë i fundit nëse ne nuk reagojmë. Është një precedent shumë i rrezikshëm që u krijua me Agon Chanel.
Janë procedura presioni, shantazhi që regjimi bën në prag të fushatës elektorale se e di që është i humbur, e di që e kanë betejën e humbur nëse në zgjedhje do të shkohet me kushte normale. Mbyll televizionet kritike, akuzon liderët e opozitës me akuza false. Kemi vendosje të një regjimi autokratik i ngjashëm me atë të Rusisë apo Kinës komuniste.
Ai e sheh vazhdimësi të akteve arbitrare të kësaj qeverie që janë marrë në vijimësi dhe vazhdojnë të merren.
Kasmi: Rama synon mbylljen e mediave opozitare.Shtypi i shkruar pothuajse është eleminuar fare. Mos u çudisni që një ditë të bukur të fikë dhe internetin dhe të kthehemi siç është regjimi i Iranit sot. Është betejë e regjimit me shoqërinë, ose do ti lëmë peng këto liri që i kemi fituar 32 vite më parë ose do ti rimarrim prapë.
