Mbyllja e mediave po bëhet rrugë, Cukali për Rtv Ora: Si mund të menaxhohet mirë nga shteti një aset që qeveria nuk e do?

"Kjo është një ngjarje shumë e keqe për hapësirën e medias shqiptare."

Kështu e përshkruan kalimin e Rtv Ora në administrim  të shtetit Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias.

Për Ora News me gazetaren Siklajda Shorja, ai thotë se ky është një zhvillim negativ në një kohë kur edhe zërat e pavarur ose diversiteti mediatik është ngushtuar shumë.

"Kemi një zë të madh që është propaganda dhe përforcuesit e tij dhe kemi shumë pak zëra të tjerë alternativë".

Ajo që nuk është kuptuar sipas Cukalit, është fakti se një media nuk është thjesht një pronë e dikujt, e një personi apo aksioneri.

"Një televizion ka dhe audiencën dhe bashkëaksionerë moralë dhe profesionalë të gjithë gzetarët që punojnë. Shoh një dështim shumë të madh të drejtësisë shqiptare për të vendosur një standard se çfarë është media. Një televizion i takon dhe audiencës. Si e ka menduar gjykatësja audiencën në këtë rast? Nuk shoh asnjë reflektim të kësaj natyre".

Akoma më të rëndë situatën e bën fakti se mbylljen e mediave kjo qeveri po e bën rrugë.

"Për fatin tonë të keq nuk është rasti i parë. Kemi një rast tjetër që është shumë famëkeq, rasti i televizionit Agon që në një mënyrë të ngjashme u sekuestrua, u mbyll dhe Shqipëria humbi në gjyqin në  Strasburg. Humbëm para ndërkohë që i mbyllëm gojën një zëri alternativ të asaj kohe. Fakti që diçka përsëritet tregon se nuk paska qenë një rast i shkëputur por shoh se po bëhet rrugë.

Ky është një vendim i papërgjegjshëm i sistemit gjyqësor që cënon lirinë e medias, lirinë e informimit për atë audiencë që besonte te ky televizion për tu informuar dhe ndër të tjera ky është një moment delikat pasi jemi dhe në prag ngjarjesh politike, fushata për zgjedhjet vendore ka filluar. Një akt i tillë në një kohë të tillë është cënim i disa lirive, lirisë së shprehjes por edhe lirisë së informimit".

Cukali thotë se po aq i paqartë është dhe për skemën sesi do menaxhohet ky televizon.

"Ndoshta këta zotërinj mund ta kenë seriozisht kur thonë se nuk do të ndërhyjnë në linjë editoriale por menaxhimi i një televizioni mund të bëhet kaq keq sa ti heqësh audiencën, ta zbresësh në shikueshmëri. Nuk e kam të qartë si do funksionojë kjo skemë? Nuk kam asnjë besim që menaxhimi i një aseti që ky shtet nuk e do bëhet mirë".