Konfiskimi i RTV Ora/ Elton Qyno: Të vësh duart në kokë! Konfiskohet një media që ka 15 vite në treg
Gazetarët e RTV Ora dhe Ora News janë ndjerë në një situatë të pazakontë paraditen e sotme kur në korridoret e televizionit erdhën oficerë gjyqësore dhe BKH për të dorëzuar dhe kryer ekzekutimin e vendimit të gjykatës që konfiskon RTV Ora.
“Është një nga daljet më të vështira. Ne sot po numërohemi nga policia e Byroja sikur të ishim në një vendngjarje. Sot po numërohen njerëzit, karriget dhe çdo kamera që përbën RTV Ora. Jemi në situatë jo normale në raport me të drejtën tone për të shprehur dhe pasqyruar një ngjarje nga ana tjetër kemi shtetin në krye dhe një vendim gjykate që na rëndon mbi shpatulla dhe na pengon të bëjmë punën tonë të lirë dhe të pavarur jo vetëm nga ana editoriale por dhe ekonomike” thotë Elton Qyno, gazetari i RTV Ora në studion e këtij ekrani.
Gazetari me shumë vite eksperiencë në supe thotë se vendimi që është marrë nga gjyqtarja Etleva Deda është i pabazuar në prova dhe ligj.
Elton Qyno: Rastin e kam ndjekur në mënyrë të përpiktë dhe zoti Ylli Ndroqi nuk ka qenë asnjëherë i dënuar apo arrestuar në Itali.
Në kushtet kur mungon një provë ti nuk mund të bësh vendim për konfiskimin e këtyre pasurive. Është një rast që të vësh duart në kokë. Sepse nëse një gjë e tillë u bëhet Ora News, një tempulli mediatik njerëzit e tjerë janë të papëfillshëm."
Gazetari tha se gjyqtarja nuk ka marrë në shqyrtim asnjë provë por vendosi të konfiskojë një tv e cila ka 15 vite.
Elton Qyno: "Është një media që nuk ka lënë protestë të shoqërisë civile, grupeve të interesit apo atyre që kanë ndjerë të shtypur nga shteti, nuk ka lënë protestë politike pa mbuluar apo hallexhi pa e ndihmuar dhe pa sensibilizuar opioninin publik për ti ndihmuar këto kategori. Sot ne vijmë e përfundojmë në këtë derexhe pasi gjyqtarja merr vendimin ekstrem politik të pilotuar nga njerëz të posaçëm të politikës. Nga një tempull i medias në Shqipëri prej 15 vitesh që kontribuojmë lidhemi me shirita me qëllimin e vetëm që të mos flasim"
