Konfiskimi i Rtv Ora, Statovci: Bëni durim! Historia ka treguar se pushtetet që tentojnë kontrollin e medias se kanë të gjatë
Ato qeveri dhe pushtete që kanë tentuar kontrollin e medias fundin e kanë pasur të afërt. Kështu shprehet Profesori i Shkencave Akademike Bedri Statovci lidhur me konfiskimin e Rtv Ora.
Në një intervistë për gazetaren Sonila Musai në Ora News, Statovci thotë se një akt i tillë është i paimagjinueshëm për kohën që po jetojmë.
Statovci: Unë di që shtetet e forta pas armatimit dhe ushtrisë si armë të fortë gjithmonë i respektojnë dhe i konsiderojnë mediat e pavarura. Historia na ka treguar se ato qeveri dhe pushtete që kanë tentuar të kontrollojnë median në një periudhë jo të largët kanë dështuar. Se ndodh kjo në shekullin XXI në Shqipëri, jam tepër i shqetësuar. Kur media kontrollohet demokracia është në zhdukje e sipër.
Unë jam me Rtv Ora dhe gazetarët. Çdo gjë mund ta marrë shteti dhe forca por dijen tuaj askush nuk mund ta marrë. Qëndroni stoik se edhe kësaj do ti vijë fundi dhe ata do të binden se kanë bërë një veprim tejet të pamatur, të pamenduar mirë, në kohën dhe hapësirën jo të duhur për momentin.
Sipas tij kjo është një diktaturë që ne kemi menduar se i ka kaluar koha.
Statovci: Populli shqiptar duhet të vetëdijësohet dhe këtyre gjërave tu thotë shumë shpejt stop.
Reagimin e Unionit të Gazetarëve e konsideron shumë të butë.
Ndërkohë ai paralajmëron Qeverinë se duhet të ketë shumë kujdes për veprimin që ka ndërmarrë me televizionin Ora pasi mund ti kthehet në boomerang.
Statovci: Rtv Ora është duke u përdorur vetëm si alibi që të frikësojë televizionet e tjera. Ju jeni viktima pasi përmes jush ai po përpiqet të disiplinojë televizionet e tjera, të jenë të rreshtuara pas politikës aktuale. Është vendim politik shumë i gabuar por bëni durim.

