Policë në televizion, vetëm në Rusi ndodh. Mos lejoni të mbyllet televizioni i tretë në pak kohë
RTV Ora prej dy ditësh i ka kaluar shtetit pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për konfiskimin e saj.
Sot oficerët e BKH, OPGj dhe administratorët shtetërorë mbërritën në ambientet e RTV Ora dhe po kryejnë inventarizimin.
E ndërkohë që beteja e RTV Orës vijon prej dy vitesh heshtja e komisionit të medias është për tu vënë në dukje.
Brahim Shima: “Në parlament kemi një komision të medias që në 2 vite e më shumë askush nuk është interesuar. Madje më shumë ka pasur interes nga organizata të huaja dhe sindikata të ndryshme ndërsa komisioni i medias është një heshtje totale sikur s’ka ndodhur asgjë ndërkohë që është televizioni i tretë që po mbyllet në pak kohë. Nën presion të të njëjtit presion dhe të të njëjtës situatë që të mos tranëmetojë lajmet që nuk i pëlqejnë"
Kjo lë shumë për të dëshiruar” tha Brahim Shima drejtori i Informacionit i RTV Ora.
Në këto kushte a do të munden gazetarët të jenë të lirë? Kjo është pyetja që drejtori I informacionit ia drejtoi administratorit të caktuar nga shteti Faraudin Arapi për RTV Ora.
Brahim Shima: “Vetë prezenca e policëve, e shtetit në një ambient tregon dhunë. Nëse do të shkojmë në një shtet më demokrat edhe policia shfaqet më pak në rrugë sepse cilësohet dhunë. Imagjino në një television. Vetëm në Rusi ndodh. Sigurisht paligjshmëria duhet dënuar por kur bëhet fjalë për median duhet të ketë transparencë të qartë. Duhet të ketë masa pa cënuar lirinë e medias. Në këtë rast është cënuar liria e medias. Fakti që shumë kolegë e mbështesin jo direkte është shqetësuese. Presioni nuk është vetëm tek gazetarët por dhe tek aksionerët. Jemi në një situatë që po shkon drejt autokracisë”
Brenda pak vitesh u mbyllën Agon Channel, A1 dhe sot u konfiskua RTV Ora.
Shima bën apel për të ndalur mbylljen e këtij televizion pasi nëse ndodh atëherë "do të thotë që edhe vetë profesioni jonë vihet në pikëpyetje të madhe"