KQZ pa përgjigje për PD, në 27 mars përfundon regjistrimi për kandidatët
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ende nuk ka një përgjigje se cilin kandidat të Partisë Demokratike do të regjistrojnë në zgjedhje, pasi në garë janë grupi i Berishës dhe grupi i Alibeajt. Kreu i KQZ bëri me dije se në 27 mars përfundon regjistrimi i kandidatëve, ndërsa në 14 prill fillon fushata zgjedhore.
Me 27 mars përfundon regjistrimi për kandidatët që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, deklaroi se nuk ka akoma një vendim se kë do të do të regjistrojë Partia Demokratike në zgjedhje, atë nën drejtimin e Sali Berishës apo atë nën drejtimin e Enkelejd Alibeaj. Ai u shpreh se vendimin do e marrë KQZ-ja ku të vijë kërkesa.
"Në 27 mars përfundon afati për paraqitjen e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillit bashkiak. KQZ mund tu thotë me siguri kush ka qenë kryetar i PD në zgjedhjet e pjesshme të marsit dhe në 2021. Si do jetë situata me regjistrimin e çdo subjekti zgjedhor do ta themi kur të paraqitet kërkesa."
Gjithashtu Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bëri me dije se në disa bashki votimi do të mund të kryhet online.
Përkatësisht në qytetin e Tiranës, Vlorës, Elbasanit, Fierit dhe Durrësit, kjo nëse projekti realizohet dhe nëse partitë do të bien dakord.
"3 miliard lekë është kostoja e llogaritur nga ana jonë për projektin e votimit elektronik në 6 bashki të tjera. Në rast se ky projekt do realizohet do ketë këtë kosto."
Fushata zgjedhore për partitë do të fillojë më 14 prill dhe mbaron në 12 maj, pasi data 13 është heshtje zgjedhore.
