Dhunoi 21 vjeçarin që vrau policin, efektivi në Lezhë nën akuzë për keqtrajtimin e Aldi Ramës

Myrteza Mehmeti, efektiv i policisë së Lezhës do të përballet në Gjykatë me akuzën e keqtrajtimit gjatë një arrestimi të 21 vjeçarit Aldi Rama, i cili në shtator të vitit 2021 vrau oficerin e krimeve e policisë Saimir Hoxha.

Efektivi i policisë Myrteza Mehmeti do të përballet me akuzën "Kryerja e Veprimeve Abitrare", pasi dyshohet se ka keqtrajtuar 21-vjeçarin Aldi Rama,  i cili në muajin shtator të vitit 2021 ekzekutoi oficerin e krimeve e policisë locale Saimir Hoxha dhe më pas u vetëvra.

Dosja penale e hetuar nga prokurori Françesk Ganaj, ka kaluar për gjykim themeli në Gjykaten e Lezhës, pas disa seancave gjyqësore paraprake nën drejtimin e gjyqtarit Ilir Përdeda.

Efektivi i policisë tashmë i pandehur, ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzen e ngritur, por organi i akuzës ka arritur të provojë se ai e ka keqtrajtuar 21 vjeçarin Aldi Rama i cili denoncoi dhunë nga uniformat blu gjatë një arrestimi  për lëndë narkotike.

Në lidhje me rastin u kryen një sërë veprimesh hetimore, por vetëm për njërin nga 3 efektivet e policisë të kallëzuar nga i riu u arrit të provohet se ka konsumuar element të veprës penale për të cilën është ngritur dhe akuza.

Me 28-shtator të vitit 2021, Aldi Rama u bë protagonist i një krimi të rëndë, duke ekzekutuar me armë zjarri oficerin e Policisë së Lezhës Saimir Hoxha, teksa ky i fundit bashkë me dy kolegë të tij po ktheheshin nga një aksion anti-kanabis në Ishull-Lezhë.

Oficeret e policisë ndaluan për kontroll makinën në të cilën ndodhej Aldi Rama bashkë me dy shokë të tij, por sapo i oficeri Saimir Hoxha i ka kërkuar mjetin e identifikimit Ramës ai e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas ngjarjes i riu arriti të largohet dhe gjatë operacionit policor për kapjen e tij qëlloi veten me pistolete, duke mbetur i plagosur rëndë dhe një ditë më pas ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë.

Mllefi që kishte krijuar ndaj uniformave blu, duket se e nxitën të riun të ndërmarrë këtë akt të rëndë me viktimë një oficer policie.