Konfiskohet RTV Ora, Policia dhe BKH në ambientet e televizionit. Administratori Faraudin Arapi takim me stafin
Pas më shumë se dy vitesh oficerët e Byrosë së Komisionit Hetimor, Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe administratorët shtetërorë mbërritën paraditen e 4 nëntorit në ambientet e RTV Ora, por këtë radhë pa forcat RENEA që në tre gusht të vitit 2020 u shoqëruan me forcat RENEA, me maska dhe me armatimin e rëndë.
Në bisedën e parë u tentua të jepej mesazhi se puna do të vazhdojë, dhe se nuk do të cënohet liria e shprehjes.
Faraudin Arapi: Vendimi i Gjykatës dhe Urdhi i Prokurorit ngarkon me detyrë dy institucionet kryesisht Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara Konfiskuara, BKH dhe OPGj. Duke qenë se vendimi është i Gjykatës së Shkallës së Parë ne do të procedojmë që I gjithë stafi që është në marrëdhënie pune të procedojë sikur ska ndodhur asgjë.
Një tjetër argument u soll dhe situata e Agon Channel, të cilit sinjalën ia fikën në tetor të vitit 2015 pas përplasjeve me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Faraudin Arapi: "Puna nuk do të ndërpritet. Nuk do bëj krahasim por të njëjtën gjë ia kemi kërkuar edhe Agon Channel"
Sipas Arapit do të vijojnë procedurat e inventarizimit deri në një vendim përfundimtar të Apelit dhe dha garanci se nuk do të cënohet linja editoriale, por për gazetarët pasiguria dhe vështirësia mbetet e madhe. Për vetë faktin se edhe kompanitë e reklamave janë trembur dhe duke pasur parasysh që për dy vjet është dashur shumë mund të sigurohen.
Shqetësimi i madh mbetet dhe liria e shprehjes
Faraudin Arapi: "Nuk do të lejoj askënd që në këtë proces të diktojë në programacion e linjën editoriale tuajën. Vijoni sic jeni tani. I takon sektorit juridik të kryejë zbatimin e vendimit. Mendoj se duhet të jem pjesë e juaj. Ju mbështes dhe do jemi bashkë deri në përfundim të hetimit e gjykimit përfundimtar.
Nuk dua të më dëmtohet asnjë vlerë. Askush të mos largohet nga pozicioni që ka. E konsideroj veten pjesë tuaj dhe do të vijoj të jemë pjesë e mirëadministrimit që ka ky institucion.
Të gjithë bashkë me kolektivin tuaj i kemi mundësitë të qëndrojnë në krye të detyrës. Ju do të jeni të lirë dhe do të më keni mua si administrator i shoqërisë. Garancitë e mija do ti keni të plota për të vijuar kontratat dhe punën që keni. Kjo do të jetë shërbim i mirë që do i bëni atij që ka kontribuar në ngritjen e këtij institucioni. Vendimi i Gjykatës nuk është vendim përfundimtar. Është vendim i shkallës së parë. Nuk kemi marrë vendimin e arsyetuar. Kemi kohën e mjaftueshme të avokatëve për apelimin. Edhe atëherë kur gjykata të marrë vendim të formës së prerë puna nuk do të ndërpritet”
Brahim Shima: Gazetarët nuk kanë qenë të qetë në këto dy vite. Shantazhi ka vijuar deri më sot. Por të mos gënjejmë veten. Situata e gazetarëve është e vështirë. Nuk punon vetëm për kontratë. Kontrata e punës është e fundit që mendojnë. Për dy vjet na është dashur shumë mund të marrim reklamat. Kompanitë janë të trembura, u bëhet presion të mos sjellin reklama.
Faraudin Arapi: Ju garantoj që askush të mos ndërhyjë tek liria e medias dhe garancia e kontratave me reklamat.
Brahim Shima: Shteti deri më sot për këtë media nuk ka bërë asgjë vetëm ka shantazhuar.”
Gjithësesi tashmë ecuria e televizionit është vënë nën pikëpyetje, ndërsa ligji i posaçëm e lejon gjykatën që ta vërë në zbatim menjëherë, dhe këtë radhë nuk do të ketë më nevojë as për forcat e rendit dhe as për RENEA-n
