Konfiskimi i RTV Ora, gazetarët në situatë të vështirë, kompanive po u bëhet presion të mos sjellin reklama

Gazetarët e RTV Ora dhe Ora News nuk mund ta fshehin stresin dhe pasigurinë lidhur me situatën në të cilën ndodhet televizioni një ditë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për konfiskimin e RTV Ora.

 Keti Banushi, gazetare e RTV Ora:  Unë jam një ndër gazetaret që e ka ndjekur këtë proces që në fillim. Kam pasur shpresë seancë pas seance që drejtësia do të vihej në vend, pasi kam parë provat që janë paraqitur, por me vendimin e fundit që u dha nga Gjykata e shkallës së parë e them me bindje se ka qenë një proces që është zhvilluar kot për dy vite. Nuk është marrë parasysh asnjë provë. Më vjen çudi që prokurorët e posacëm kanë shpenzuar dy vjet kohë kur vendimi ishte marrë që në fillim.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Media në duart e një administrator shtetëror kam frikë se nuk do të mbijetojë dot. Nuk do të ketë shkëlqimin që ka pasur. Ai nuk mund të vijë të thotë mos e bëj këtë lajm por ne si gazetarë do të ndjejmë vështirësitë. Kemi gazetarë që nuk të japin kredi se thonë ju jeni në sekuestro.

Sonila Musai, gazetare e RTV Ora: Televizioni i RTV Ora ka qenë pranë çdo qytetari që dyert e institucioneve janë mbyllur dhe u kemi dhënë zgjidhje. Shpresojmë tek Gjykata e Strasburgut që drejtësia të vihet në vend”

Elton Qyno gazetar i Ora News: Nga eksperienca ime më kujtohen dhjetra raste kur ajo gjyqtare, Etleva Deda dhe gjyqtarë të tjerë të asaj gjykate kanë liruar pasuri që vërtetë kanë ardhur nga segmente të caktuara të veprimtarisë kriminale të individëve që janë dënuar në shtete të tjera. Mund të përmend individë  që janë dënuar me vendime të formës së prerë dhe nga ana tjetër kjo gjyqtare që na konfiskuar ka liruar ata prona.

Prandaj them që ky vendim është haptazi në kundërshtim me ligjin. Rastin e kam ndjekur në mënyrë të përpiktë dhe zoti Ylli Ndroqi nuk ka qenë asnjëherë I dënuar apo arrestuar në Itali. Në kushtet kur mungon një provë ti nuk mund të bësh vendim për konfiskimin e këtyre pasurive. Të gjithë këto informacione për Ylli Ndroqin janë marrë në rrugë mashtruese e jo ligjore përmes emaili anonim që ka shkuar në 1 korrik 2020. Është një rast që të vësh duart në kokë. Sepse nëse një gjë e tillë u bëhet Ora News, një tempulli mediatik njerëzit e tjerë janë të papëfillshëm.

Brahim Shima, Drejtori i informacionit RTV Ora i drejtohet administratorit te shtetit, Faraudin Arapi: Të mos gënjejmë veten. Situata e gazetarëve është e vështirë. Gazetari nuk punon vetëm për kontratë. Kontrata e punës është e fundit që mendojnë. Për dy vjet na është dashur shumë punë kolosale të marrim reklamat. Edhe Kompanitë janë të trembura, u bëhet presion të mos sjellin reklama. Kjo aq më shumë kur i shtohet dhe administrimi i shtetit, se gazetarët duhet të mendojnë. Sakrifikuan për 2.5 vjet por nuk e di çfarë sakrifice ti kërkoj vetë gazetarëve të mi të bashkëpunojnë më tej. Sidomos kur linja editoriale duam s'duam ne, doni s'doni ju do të ndikojë tek të gjithë ne.

Tu thuash gazetarëve të mos trembemi dhe të mos jeni të shqetësuar nuk është e sinqertë. Tu thuash gazetarëve mos u trembni se ju ka ardhur shteti tu drejtojë është e tepërt. Ky është fakt dhe ne nuk kemi ç’të bëjmë. Situata është e jashtëzakonshme. U deshën dy vjet sakrifica dhe jemi në këtë situatë e prapë ne themi të mos jemi të shqetësuar por ky është element psikologjik dhe nuk besoj se ndonjë gazetarët do e marrë seriozisht pjesën se shteti do jetë me ju. Shteti deri më sot nuk ka bërë asgjë vetëm ka shantazhuar cdo gazetar në terren.