Berisha: Kongresi i Gjuhës në 1972 i hoqi paskajoren Shqipes, varrosi kolosët si Fishta
Kreu i PD-së, Sali Berisha i ftuar në “Drejt” nga Luan Rama në RTV Ora tha se Kongresi i Gjuhës Shqipe në 1972 ishte një vepër që e dënoi gjuhën tonë.
Ai u shpreh se ai kongres i hoqi paskajoren shqipes, i hoqi njërën kordë në një mënyrë barbare, ndërsa shtoi se ka kërkuar nga gjuhëtarët që të revizionohet gjuha.
Berisha: Jam për gjuhë zyrtare, nuk kam asnjë diskutim, por e konsideroj kongresin si një vepër të Enver Hoxhës që e dënoi gjuhën shqipe. Jam munduar që të inkurajoj gjuhëtarë që të revizionojnë këtë kongres të gjuhës. Çfarë bëri kongresi? I hoqi paskajoren shqipes, i hoqi njërën kordë. Ia hoqën në mënyrën më barbare.
Tani çfarë ndodhi më pas? Ai kongres varrosi gjuhëtarët kolosë të shqipes si Fishta, Mjeda apo shkrimtarët e Kosovës. E marrin gjuhën e Fishtës fëmijët dhe u duket si gjuhë tjetër. Sot gjuha është përballë një rreziku shumë të madh dhe ka dalë nga shtrati.

