Kastriot Ismailaj kërkon lirinë

Kastriot Ismailaj, biznesmeni i përfshirë në aferën CEZ-DIA, ka paraqitur një kërkesë në gjykatën e Fierit duke pretenduar lirim me kusht.

Ismailaj shprehet se ka vuajtur 2/3 e dënimit me 11 vjet burgim të dhënë në tetor të 2017 nga Gjykata e Tiranës.

Ai kërkon lirinë pasi i ka mbetur për të vuajtur burgim vetëm një periudhë e vogël kohore.

Ora News mëson se Ismailaj ka qëndruar në paraburgim rreth 2 vjet e 6 muaj që llogariten 3 vjet e 9 muaj.

Nga tetori i 2017 deri në mes të gushtit 2022 ai ka vuajtur edhe 4 vite e 10 muaj burg.

Në total 8 vjet e 7 muaj. Por për çdo vit burg Kastriot Ismailaj ka mundësi për të përfituar ulje dënimi deri në 90 ditë. Në total rreth 2 vjet.

Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, Ismailaj rezulton se nuk ka marrë asnjë masë disiplinore, nuk ka kryer asnjë vepër tjetër penale dhe ka mbajtur kontakte të mira me të dënuarit e tjerë që vuajnë dënimin në burgun e Fierit.

Kjo kërkesë e Ismailajt do të përfaqësohet në gjyq nga prokurorja Ervisa Hyka, ndërsa do të jetë gjykata që do të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e Ismailajt apo jo.

Kastriot Ismailaj ka shërbyer si administrator i kompanisë DIA, firmë kjo e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të shpërndarësit CEZ.

Për shkak të akumulimit të madh të borxheve dhe mashtrimeve të kryera, Ismailaj u dënua me 11 vjet burgim për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale.