Nuk kanë fund abuzimet e Bashkisë së Tiranës, tjetër tender 6.9 mln euro për terminalin e Tiranës

Terminali i ri verior do të kushtojë 6.9 milionë euro, ndërsa Bashkia e Tiranës ka shpallur fituesin me procedurë të dyshimtë. Kjo pasi 4 ofertat më të ulëta janë skualifikuar nga gara, ndërsa tenderin e ka fituar kompania që ofroi 709 mijë euro më shumë se oferta më e mirë.

"E kemi filluar vitin e ri me punë konkrete që përkon me 100 vjetorin e Tiranës. Jemi te Kthesa e Kamzës, është një hapësirë goxha më e madhe sesa ish-Dogana që do të akomodojë  63 vendposte dhe stacione për autobusët e veriut dhe të jugut" deklaroi Veliaj me 6 janar 2020.

Edhe pse Erion Veliaj e inaguroi me shumë bujë Terminalin e ri të Veriut, Bashkia e Tiranës deklaron se projekti nuk ka përfunduar asnjëherë.

Kjo pasi, institucioni që drejtohet nga Erion Veliaj shpall tenderin me procedurë të dyshimtë, pasi nga gara janë përjashtuar 4 ofertat më të ulëta dhe është miratuar ajo e kompanisë që ofroi më shumë para për një projekt që mund të realizohej me kosto më të lirë.

Dhe për këtë projekt Bashkia e Tiranës ka vendosur të shpenzojë jo pak, por afro 7 milionë euro që do të merren sërish nga xhepat e taksapaguesve të kryeqytetit, të cilët e kanë paguar njëherë këtë projekt pak vite më parë.

Bashkia e Tiranës ka shpallur kompaninë fituese me metodën e zakonshme të prokurimit duke skualifikuar kompanitë pjesëmarrëse përveç fituesit.

Konkretisht Terminali i Ri do t’u kushtojë qytetarëve 820 milionë lekë, ose rreth 6.9 milionë euro.

Në një prokurim të tillë ku më e pakta duhej zbatuar konkurrimi, Erion Veliaj bën komplet të kundërtën.

Kjo pasi në 10 kompani që kanë marrë pjesë për këtë tender, Veliaj ka skualifikuar nga gara 4 ofertat më të mira për të shpallur fitues bashkimin e operatorëve “NOVA Construction 2012” dhe “Ante-Group”.

Konkretisht, sipas dokumenteve standarde të tenderit, kompanitë që kishin paraqitur ofertat më të mira dhe që u skualifikuan janë: “VEGA” dhe “ALKO-IMPEX General Construcion” me 709 mijë euro më pak se oferta fituese, “SALILLARI” me 417 mijë euro më pak se oferta fituese, bashkimi i operatorëve “BE - IS”, “ERGI” dhe “2 T me 176 mijë euro më pak dhe bashkimi i operatorëve “ULZA” dhe “AGRI CONSTRUCTION” me 34 mijë euro më pak se oferta fituese.

Përpos procedurës që është ndjekur për të shpallur fituesin e tenderit, në dokumentet specifike edhe pse paraqitet preventivi i punimeve që do kryhen, nuk shënohet vlera se sa do të kushtojë secila punë.

Ndërkohë kompania fituese ka kërkuar sa 88% të vlerës së tenderit për të ndërtuar terminalin për 2 vite që nga nënshkrimi i kontratës.