“ERE vendos fjalën e fundit”, eksperti: Qeveria të dalë në deklaratë për çmimin e energjisë

Eksperti për energjinë Azmer Duleviç thotë se situata lidhur me çmimin e energjisë është e papranueshme.

Gjatë një interviste për Ora News me gazetarin Everest Dedaj, Duleviç  tha se është ERE institucioni i cili vendos fjalën e fundit nëse miratohet ose jo fasha prej 800 kWh.

Azmer Duleviç: Është një situatë e papranueshme sepse ne jemi në ditën e fundit të muajit tetor dhe qytetarët janë të shqetësuar nëse do të hyjë fasha ose jo. Është ERE që e vendos nëse do të ndryshojë çmimi dhe mbledhjen e fundit ERE e ka lënë në fuqi vendosjen e fashës prej 800 kWh. Qeveria dhe entet e tjera thjesht bëjnë propozime.  ERE është institucioni i cili vendos fjalën e fundit nëse miratohet ose jo fasha prej 800 kWh. Me zhvillimin e ditës së sotme ku Balluku e bën më të turbullt situatën, kjo nuk po tregon shenja serioziteti.

Sipas tij qeveria duhet të bëjë të ditur vendimin e marrë.

Azmer Duleviç: Nëse qeveria ka vendosur të anulojë fashën siç bëri muajin e kaluar jo më larg se dita e nesërme duhet të dali në një deklaratë të japi arsyet dhe ta anulojë. Në të kundërt të thotë se fasha do të jetë në fuqi dhe qytetarët të marrin masa të mos tejkalojnë fashën.

Eksperti thotë se  aktualisht kilovatët e konsumuar janë nën vendimin e ERE, nëse nuk ndryshon vendimi çmimi për fashën mbi 800 kWh do të paguhet me 44 lekë.

Azmer Duleviç: Në përfundim të çdo muaji ndodh faturimi i matësve elektrik, matësi po mat matjet e reja që përkon me faturën e nëntorit. Sipas deklaratës së ministres ata do të shikojnë konsumin e një jave dhe do ta krahasojnë me një vit më parë. Aktualisht kilovatët e konsumuar janë nën vendimin e ERE, nëse nuk ndryshon vendimi çmimi për fashën mbi 800 kWh do të paguhet me 44 lekë.