Braçe: Pikat e këmbimit valutor në Tiranë, depozita mbajtëse të parave të krimit të organizuar

Me debate dhe kundërshtime ka nisur Komisioni i Ekonomisë, nga ku u diskutuan tre projektligjet e paketës fiskale 2023, të cilat parashikojnë ndryshimin e akcizës për birrën, 10-fishimin e gjobës ndaj bizneseve që punësojnë në të zezë si dhe përjashtimi nga tatimi i vlerës së shtuar të transaksioneve, të cilat lidhen me blerjen e energjisë.

Deputetët opozitarë nuk mbështesin ligjin se dhjetëfishimi i gjobës ul informalitetin në ekonomi dhe sipas tyre është politikë e gabuar.

Tabaku: Në një moment kur qeveria shqiptare mendon të diskutojë projektligjin e aministisë fiskale, sa e drejtë është që për biznese që janë tatimpagues ju vendosni gjoba 10 herë më të larta ndërkohë që nga ana tjetër do të amnistoni të gjithë evazorët e këtyre 30 viteve. Nuk është barazi para ligjit kjo. Shqetësimi kryesor që unë kam është gjoba. Shqetësimi kryesor është 10-fishimi i gjobës, niveli më i lartë i gjobës i marrë ndonjëherë. Ekonomia informale nuk luftohet me gjoba.

Teksa u diskutuan shkeljet që shkaktonin dëme në buxhetin e shtetit, deputeti socialist Erjon Braçe deklaroi se disa pika të këmbimit valutor po shërbejnë si depozita mbajtëse të parave të pista të krimit.

Braçe: Unë mendoj se organet fiskale duhet të marrin një rol akoma më të madh në luftën kundër krimit ekonomik. Nuk duhet të jetë policia ajo që të merret thjesht dhe vetëm me çështjet e parasë kriminale që hyjnë në ekonomi, duhet të jenë organet fiskale dhe më lejoni t'ua them që ka pika këmbimi valutor në Tiranë që janë kthyer në depozita mbajtëse të parave të krimit të organizuar. Mjafton të shikoni sesi nga një dhomë është blerë apartamenti dhe sesi nga apartamenti është blerë gjithë kati.

Edhe deputetja e opozitës, Jorida Tabaku, u shpreh se zyrat e noterisë kanë nisur të funksionojnë si një sistem bankar dhe se paratë pastrohen lehtë duke blerë apartamente.