Bashkia Tiranë, tender 709 mijë euro për mobilim shkollash, Veliaj skualifikoi ofertën më të ulët

Bashkia e Tiranës shpall fituesin e tenderit e radhës me procedurë të dyshimtë. Dy muaj pas fillimit të shkollës, ky institucion do të shpenzojë 709 mijë euro për mobilim shkollash, ndërsa tenderi i është dhënë kompanisë që ofroi 11 mijë euro më shumë.

Pas pothuajse 2 muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor 2022-2023, Bashkia e Tiranës kujtohet që të pajisë me mobillje institucionet arsimore që janë nën varësinë e saj.

Në një tender të hapur së fundmi, institucioni që drejtohet nga Erion Veliaj, parashikon të blejë karrige, tavolina, dërrasa, etj për 9 shkolla, 26 kopshte dhe 19 çerdhe.

Por mesa duket më shumë sesa i intereson plotësimi i kushteve në shkolla për nxënësit dhe fëmijët, Veliaj është kujdesur për procedurat e tenderit.

Në prokurimin me vlerë 83 milionë lekë, ose rreth 709 mijë euro, kanë marrë pjesë 7 kompani, ku 5 prej tyre janë skualifikuar nga gara dhe fitues është shpallur subjekti “ERZENI/SH”.

Por nga 5 kompanitë e skualifikuara, është edhe bashkimi i operatorëve “SHAGA” dhe “KLAME”, të cilët kishin paraqitur ofertën më të mirë me 11 mijë euro më pak se oferta fituese.

Ndërkohë kompania fituese ka kërkuar sa 93.9% vlerës së tenderit për të blerë orenditë brenda 2 muajve që nga nënshkrimi i kontratës.

Përpos procedurës së dyshimtë të shpalljes së fituesit, në dokumentet e tenderit edhe pse tregohet se çfarë do të blihet, nuk specifikohet çmimi i orendive se sa do të kushtojë secila.

Ky tender është vlerësuar me flamur të kuq edhe nga Open Data, me arsyetimin e skualifikimit të operatorëve përvaç fituesit.