Belind Këlliçi: Nuk jam unë emri që Meta çoi tek Berisha. Nëse fitoj primaret rivalët e mi i ftoj në ekip kundër Veliajt

Deputeti i PD Belind Këlliçi në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj foli rreth ndikimit që do të ketë sistemi i primareve në PD, qasjen që ai ka ndaj kandidatëve të tjerë që janë pjesë e garës për kandidat për bashkinë e Tiranës si dhe për raportin me Ilir Metën.

Gazetari: Sistemi i primareve a ndjeni se rrezikon t’ju kthejë në konflikt me kolegët demokratë?

Belind Këlliçi: Në Shqipëri kultura demokratike nuk është në nivelin e duhur për të pranuar çdo rezultat. Unë personalisht jam ndër ata politikan që kam pasur dhe shijen e fitores dhe disfatës. Unë jam produkt i votës së lirë dhe garant i votës së lirë në PD. Për këtë do të jap shembullin tim personal. Nëse fitoj do të ftoj kandidatët e mi në garë të bëhen pjesë e një ekipi me të cilët do ët doja të vilja përballë Veliajt sikurse jam vetëofruar ti shtrëngoj dorën rivalit tim nëse ai fiton dhe nga ai moment të vihem në dispozicion për betejën e Tiranës. Duke qenë se janë 3 figura me peshë në PD, të spikatura, me emër në kryeqytet nuk besoj se mes nesh do të ketë hatërmbetje.

Gazetari: Pas çdo takimi mbushen mediat me tituj “Këlliçi sulmon kandidatët” , pse ky sulm?

Belind Këlliçi: Unë nuk e di kë kam sulmuar deri tani. Ka një sulm të koordinuar kundër kandidaturës time e ky sulm bëhet nga Erion Veliaj e ka 6 muaj që bëhet.  Kam një makineri propagande përballë. Kam një nga shantazhuesit më të fortë të medias dhe një nga personat që ka kontrolluar median si askush tjetër. Erion Veliaj garon me Edi Ramën në këtë aspekt dhe do të shihni çudira. Unë kuptoj tentativat ndaj meje për të më intimiduar, hedhur baltë. E di që kjo betejë nuk është e lehtë por jam i qetë se do dal faqe bardhë nga kjo garë.

Gazetari: A jeni ju emri i cili iu kërkua Sali Berishës me ngulm në zyrën e tij më shumë se 2 herë nga Ilir Meta?

Belind Këlliçi: Nuk e besoj. Kam marrëdhënie shumë korrekte bashkëpunuese me PL e zotin Meta por dhe me partitë e tjera të koalicionit opozitar dhe të spektrit të djathtë. Nuk kam qenë prezent në bisedat që kanë bërë dy krerët e opozitës së bashkuar por të garantoj që vendimmarrja për tu futur në këtë garë ka qenë e imja dhe Sali Berisha është njoftuar nga unë personalisht për këtë vendimmarrje. Jam ulur, si me shumë miq. I kam thënë që kam këtë projekt kam marrë garanci për një proces korrekt të primareve dhe asgjë më shumë. Të tjerat janë skupe mediatike që bëhen për konsum.