Meta thirrje qytetarëve për bashkim në protestën e 12 nëntorit: Mbrëmjen e 14 majit festojmë triumfin

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta,  u bëri thirrje sot qytetarëve të  bashkohen në protestën e 12 nëntorit, të thirrur nga opozita.

Në takimin me  Komitetin Drejtues Kombëtar të PL, Meta tha se qeveria Rama duhet të largohet dhe se në mbrëmjen e 14 majit do të festohet për triumfin e demokracisë.

Meta: Partia e Lirisë i fton të gjithë qytetarët shqiptarë që më 12 nëntor të thonë fjalën e tyre. Koha e arbitraritetit dhe nëpërkëmbjes së të drejtave të shqiptarëve ka marrë fund. Të bashkohen në protestë të rinjtë me moton për të larguar këtë qeveri dhe për të ndalur largimin e shqiptarëve. Projekti për largimin e shqiptarëve ka marrë fund. Shqipëria do u përkas të rinjve, do u përkas shqiptarëve. Në mbrëmjen e 14 majit jam i sigurt do të jemi të gjithë nga sheshi Skënderbej e deri te Nënë Tereza për të festuar triumfin e demokracisë.

Meta foli dhe për arsimin, sektor që sipas tij do do të jetë kryeprioriteti i Partisë së Lirisë.

Meta: Arsimi do jetë kryeprioriteti ynë. Në çdo vendim që do merret në të ardhmen për buxhetin i pari do të jetë për të plotësuar kërkesat e këtij sektori jetik. Fakti që pedagogët tanë vazhdojnë dhe denigrohen në mënyrat më të ulta dhe ordinere për disa kërkesa që duhet të ishin plotësuar prej kohësh, tregon se nuk kemi të bëjmë me mungesë mundësish, por kemi të bëjmë me një politikë të vetëdijshme për të nënvlerësuar pedagogët dhe intelektualët. Arsimi është një sektor që Rilindja e ka zgjedhur për ta patronazhuar. Kjo politikë do dështojë dhe e kundërta do të ndodhë, pedagogët dhe arsimtarët do të jenë flakëndezësit e parë të frymës për liri dhe për një Shqipëri si gjithë Evropa.

Ndërkohë Edmond Haxhinasto është zgjedhur kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë.