Alibeaj njofton nisjen e përgatitjes për zgjedhjet lokale: Duhet të shkojmë për të fituar

Grupi demokrat i Alibeajt do të nisë përgatitjen për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Ishte Enkelejd Alibeaj që në një prononcim për mediat pas mbledhjes 3 orëshe të kryesisë së PD tha se grupi parlamentar ka marrë mbështetjen unanime të Kryesisë për qëndrimin e mbajtur në raport me negociatat e dështuara me grupin e Berishës për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhje.

Alibeaj: Ishte një mbledhje informuese për atë qëndrim që mbajti grupi parlamentar. Kryesia e PD mbajti qëndrim unanim në mbështetje të qëndrimeve të grupit parlamentar gjatë kësaj kohe, mundësisë që ofruam, shtrirjen e dorës në mbështjetje të plotë të zotit Bardhi si pikë kontakti në bisedimet që pati me zotin Paloka. Kryesia jo vetëm e mbështeti por tashmë ne do ecim në riorganizimin  në funksion të zgjedhjeve lokale. Të premten në orën 15:00 do kemi sërish një mbledhje të Kryesisë sëbashku me Kolegjin e Kryetarëve në funksion të organizimit dhe ecjes para të përballjes me zgjedhjet lokale.

Dermokratët në Mirditë, Kurbin, Durrës, në Peqin dhe Malësi të Madhe kanë vendosur të mos dëgjojnë PD zyrtare në Tiranë por të bashkohen dhe të kenë vetëm një kandidat.

Por nëse baza e kupton rëndësinë e daljes me një kandidat në zgjedhje, pse PD e zotit Alibeaj dhe ajo e Berishës nuk e kuptojnë?

Alibeaj: Kam qenë i pari ndoshta që kam mbështetur atë që bënë burrat e mençur të Mirditës. Qëndrimi i grupit parlamentar i mbështetur dhe nga Kryesia sot e mori frymëzimin nga qëndrimi i përfaqësuesve tanë në Mirditë. Jo vetëm kemi qenë dhe jemi për një kandidat fitues, të demokratëve, të bazës, demokratë që kanë qëndruar, demokratë që ndoshta në zgjedhjet e 6 marsit nuk votuan. Duhet të shkojmë në zgjedhjet lokale për të fituar.Nuk do duhet kurrësesi ata për çështje konkrete të tyre të mund të turbullohen nga diversiteti këtu lart. Është diskutuar dhe në Kolegjin e Kryetarëve që po: Zgjidhje të tilla të mençura si ajo e Mirditës kanë mbështetjen tonë. Do ta mbështes gjithmonë.

Pyetje: Pse po shkoni drejt praktikës së ndjekur nga Lulzim Basha në 6 mars dhe të përçani votat brenda të djathtës dhe të shkoni në atë rezultat siç u pa në 6 mars. Ju thoni se baza do që të fitoni në bashki, ju e keni pyetur dhe a do baza të ketë dy kandidatë?

Alibeaj: Që mos të përsëritet 6 marsi kemi qenë të parë që kemi artikuluar: Një kandidat! Një kandidat fitues që të bëjë bashkë demokratët mbështetës të strukturave të PD, po të doni ju dhe pjesën tjetër të cilët kanë zgjedhur të jenë mbështetje te pjesa tjetër. Për të qenë fitues duhet të gjejmë kandidatë që të jenë shëmbëlltyra e gjithë publikut dhe atyre të cilët në 6 mars nuk votuan, që na votuan në 25 prill por jo 6 mars. Kjo nuk bëhet në mënyrë të njëanshme, ata njerëz kanë dinjitet. Jeni në dijeni të ofertës që zoti Bardhi e bëri dhe publike, cili do ishte mekanizmi më i mirë për të identifikuar siluetën e kandidatit të vetëm fitues.

50% e pikëve nga primaret, 50% e pikëve nga sondazhet me një Këshill Politik që në unanimitet dhe sinqeritet është një mekanizëm që i kënaq të gjithë. Nëse synimi do ishte i sinqertë për një kandidat do të duhej të ishte pranuar nga gjithëkush. Por nëse synimi është për të asimiliar njërin grup nën pretendimin se kanë shumicë kjo nuk çon te ai që është objektivi, te kandidati. Çon te ideja fikse që nuk shkon për zgjedhjet lokale, hajde ti dhe më njih mua.Jo kjo nuk shkon. Duhet ti shërbejmë demokratëve, tu japimn komoditetin të zgjedhin një kandidat, të përballen me të keqen e madhe që është ky regjim. Kjo është një arsye e madhe për të tejkaluar çfarëdolloj ndarje, ndasie apo teke të vogël të celebrimit se kush është kush. Ky është qëndrimi më i mirë i mundshëm.

Pyetje: Sali Berisha do nxjerrë kandidatë me primare në 61 bashki të vendit, po ju?

Alibeaj: Ne duam, kemi pasur qëndrimin, kemi bërë akte, kemi dhënë formula zgjidhje për të gjetur një kandidat unik për demokratët se zgjedhje lokale janë tek e fundit që të jetë fitues. Çdo zgjidhje e njëanshme si ajo që më the është e papranueshme. Duhet ti shërbejmë demokratëve. PD do futet në zgjedhje, kjo është pak por e sigurt.

Pyetje: A do ketë më negociata?

Alibeaj: Ajo çfarë zoti Bardhi e artikuloi është një formulë e vlefshme përgjithmonë, që do duhet ta gjejë veten çdokush. Kjo është dëshira, urimi dhe shpresa ime. Nuk fitohet me matematikë por me moral. Halli është i njerëzve dhe jo i neve lart.