Kapja e 232 mijë lekëve false në Tiranë, prokuroria në kërkim të bashkëpunëtorit të 61-vjeçarit
Prokuroria e Tiranës njoftoi sekuestrimin e 232 mijë lekëve false që ju kapën sot nga policia shtetasit R. K., 61 vjeç, banues në Tiranë.
"Në kuadër të procedimit penal nr.6877/2022, është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nr.12258, datë 28.10.2022, për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues "arrest në burg" për shtetasin R. K., lindur dhe banues në Tiranë" njoftoi prokuroria.
Ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër për të cilin po punohet për identifikimin e tij, janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale "falsifikimi i monedhave".
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së bashku me shërbimet e policisë gjyqësore kanë bërë dokumentimin e këtij aktiviteti të paligjshëm si dhe në kuadër të këtij procedimi është bërë sekuestrimi i shumës monetare prej 232.000 lekësh të prerjeve të ndryshme si dhe 50 euro, të dyshuara të falsifikuara.
