Vrasja e “Ilit” të Elbasanit dhe Regis Runajt, Erjon Alibej refuzon për të dytën herë të dëshmojë

Erjon Alibej ose siç njihet ndryshe në Elbasan me emrin Agim Shurbi ka refuzuar për të dytën herë, për tu pyetur në seancën gjyqësore nga prokurori i çështjes, Behar Dibra.

Prokurori kishte planifikuar seancën e sotme për të marrë në pyetje Erjon Alibej, por ky i fundit ka refuzuar të paraqitet në gjykatë, me argumentin se ishte i sëmurë.

Gjendja jo e mirë shëndetësore e Alibej ka qenë shkaku kryesor i mungesës së tij, duke kërkuar më tepër kohë për tu paraqitur në gjykatë dhe dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj dy ta pandehurve të tjerë, Xhulian Hoxha dhe Euglent Halili.

Nisur nga kjo situatë prokurori, i ka kërkuar gjykatës që në një periudhë kohe të rezervojë thirrjen si dëshmitar të Alibej në këtë proces.

Pas refuzimit, për tu paraqitur në gjyq prokuroria dhe gjykata, vijuan me thirrjen e dëshmitarëve të tjerë, që priten të paraqiten në seancën e javës së ardhshme.

Erjon Alibej, ka qenë bashkë i pandehur në këtë proces gjyqësor por pak kohë më parë, prokuroria e posaçme SPAK, vendosi të tërheqë aktet hetimore me pretendimin se Alibej, veç urdhërimit dhe financimit të vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj, ka dalë në financimin dhe urdhërimin e vrasjes së Bujar Çelës, dy vëllezërve Haxhiaj në Durrës, Dorian Shkozës e persona të tjerë.

Veç këtyre, një prej ngjarjeve të cilat prokuroria, kërkon të hetojë Alibej është fragmenti i dëshmisë ku Nuredin Dumani flet për fotografinë e oficerit të policisë me iniciale K.G.

Dumani, ka pretenduar se foton e policit i mbante në celular pasi Erion Alibej, kishte kërkuar vrasjen e efektivit, i cili ka mbajtur detyrën e Shefit të Seksionit të vrasjeve në Policinë e Elbasanit në vitet 2019-2020.

Alibej, njihet si person me precedent penal nga policia e Elbasanit. Jo më larg se 3 vite Alibej u dënua me 2 vite burgim për akuzën e kanosjes me armë ndaj shtetasit Xhon Rusta në Elbasan.

Në 28 dhjetor 2019, Erjon Alibej i vranë vëllain e tij Enea Alibej me nofkën “Tarzani”, Arben Dylgjerin dhe mikun e tij turk, Erdal Durunay.

Kjo ngjarje është ende e pazbuluar plotësisht, pasi për këtë krim në kërkim vijon të jetë vetëm Mikel Kamami ose “Keli i Kiçit”, i cili qëndron në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.